Lleshaj: Nga 1 Janari ndalohet çdo lloj basti sportiv ne territor ose online

30 Dhjetor 2018, 11:19 | Përditesimi i fundit: 2018-12-30 15:39:06

Pa kaluar 24 orë nga masakra e Elbasanit me tre të ekzekutuar në atentat mafioz (Lexo këtu), ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka mbledhur në një takim drejtuesit vendorë të policisë, por ka shmangur çdo koment për këtë ngjarje. Ministri i Brendshëm e ka vënë theksin se ndalimi i basteve sportive nga data 1 janar 2019. Lleshaj tha se çdo aktivitet i kësaj natyre pas orës 00:00 të 1 janarit do konsiderohet veprimtari e paligjshme e cila do sanksionohet sipas ligjeve në fuqi. Lleshaj paralajmëroi edhe drejtuesit e policisë nëse në zonat e tyre do konstatohen aktivitete të ushtrimit të basteve sportive. 

"Që në orën 00:00 të 1 janarit nuk do të lejohen bastet sportive, lojërat me kalë, apo dhe reklamat për bastet. Policia e Shtetit në këtë rast është strukturë në zbatimin e drejtpërdrejtë të ligjit. Nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet e paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ndalimi i saj është detyrim për Policinë e Shteitt. Në çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur apo të kamufluar, duhet të trajtohet si parcelë kanabisi dhe e gjithë qasja e policisë duhet të jetë e tillë nëse ka mbetur ndonjë në funksion. Drejtuesit e policisë do vihen përpara përgjegjësisë nëse konstatohet veprimtari e paligjshme në territorin që ata do kenë në mbikëqyrje", u shpreh Lleshaj.