VLORE- Njësia e re për anti-korrupsion dhe anti-evazion e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në SHBA është në krijim e sipër. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj i cili ishte sot në Prefekturën e Vlorës ku adresoi disa problematika të rendit dhe sigurisë. Lleshaj tha se lufta kundër krimit nuk do të ketë kufizime gjeografike dhe do të shtrohet në të gjithë territorin e Republikës.
"Njësia është në krijim e sipër, sepse nuk mund të them se si do të jetë trajta përfundimtare e saj por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha të cilat meritojnë qasje të re. Vetëm kaq mund të them sot. Kur të formalizohet do të dini detajet. Lufta kundër krimit nuk ka kufizime gjeografike, ajo do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.Situata, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë, statistikisht është më e mira se sa të gjitha vitet që kemi kaluar, por sigurisht kjo nuk është një arsye që ne të flemë. Përkundrazi ne synojmë të shtojmë intensitetin e punës së policisë dhe strukturave të tjera për ta përmirësuar më tej rendin, sigurinë publike në Vlorë. Ne sigurisht, mendojmë dhe besojmë fort që mbështetja e policisë është mbështetje për qytetarët, dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim policinë në mënyrë që ajo t’i ketë të gjitha atributet për ta plotësuar misionin e saj mjaft të ndërlikuar dhe të vështirë. Ligji i parashikon këto situata. Ligji nuk konkurron, nuk krijon situata konkurruese midis procedurave të ndryshme. Nëse ka procedura që po zhvillohen ndërkohë nga gjykata, ligji nuk vepron", tha Lleshaj.