Lleshaj vizitë në Liban, u kërkon ndihmë për riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë në Siri

22 Shtator 2020, 17:21

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Liban, ku është takuar me homologun e tij Mohammad Fahmi dhe gjeneralin Abas Ibrahim i cili mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm për çështjet e sigurisë.

Referuar mediave libaneze Lleshaj ka kërkuar ndihmë nga Libani për shpëtimin e fëmijëve shqiptarë në kampet e “tmerrit” në Siri.

Një prej kampeve është i ‘Al Hol’ ku prej vitesh të bllokuar janë shumë fëmijë dhe gra shqiptare historitë e të cilëve janë të njohura dhe për opinionin publik. Strategjia që kërkon të përdor qeveria shqiptare i ngjason operacioinit të ndërmarrë në nëntor të 2019 ku u bë i mundur nxjerrja nga kampi dhe kthimi në atdhe i Alvin Berishës.

Në vizitat që po zhvillon në Liban ministri i punëve të Brendshme është i shoqëruar edhe nga drejtori Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit Gledis Nano.

Vetëm disa ditë më parë, Report Tv trajtoi rastin e Eva dhe Endrit Durmanit, 2 fëmijë shqiptarë të cilët kanë mbetur në kampin "Al-Hol" prej 6 vitesh.

Mamaja dhe daja i fëmijëve u janë drejtuar autoriteteve shqiptare dhe kryeministrit Rama me një letër të hapur ku kërkojnë ndihmë për riatdhesimin e tyre. Aktualisht në kampin në Siri ndodhen dhe 70 persona, 51 fëmijë dhe 19 të rritur shqiptarë.

Gjithashtu Shqiptarja.com disponon ekskluzivisht emrat e shqiptarëve që ndodhen brenda kampit ferr, disa prej të cilëve të lindur atje.