Lobimi i PD në SHBA/ Sot përfundon afati për dërgimin e çështjes në gjyq për Lulzim Bashën

18 Nëntor 2019, 13:22 | Përditesimi i fundit: 2019-11-18 15:54:16

Sot skadon afati 10 ditore sipas nenit '327'të kodit të procedurës penale për dërgimin e çështjes në gjyq për kreun e opozitës Lulzim Basha si i pandehur për falsifikim formulari. Së bashku me Bashën të pandehurit janë edhe Ilir Dervishi financier dhe ish-Sekretari Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani.

Mbyllja hetimeve solli përplasje mes prokurorëve të Tiranës. Report Tv mëson se Prokurorët,  Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako kanë qenë dakord dhe vendosën për mbyllje hetimesh. Ata kanë njoftuar kolegun e tyre Kole Hysenaj i cili ka qenë kundër, duke kërkuar zgjatje të afateve hetimore. Megjithatë vendimi është marrë  2 me 1.

Pyetjes së Report Tv drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj se çfarë është vendosur me dosjen, ajo u përgjigj: Ende s'ka një vendim final.

Interesimit nëse ka mbërritur dosja ne gjykatë penale, përgjigja ishte: Ende s'kemi asnjë dosje të tillë nga prokuroria deri tani prej orës 8 të mëngjesit.

Kujtojmë se Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, do të shkojë i pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, për lobimin 675 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë offshore Biniata Trade, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Kjo është hera e dytë që lideri i opozitës përballet me drejtësinë në Gjykatë, pas akuzave për korrupsion në ndërtimin e Rrugës së Kombit si ministër i Transporteve.