‘Lulëzon’ tregtia, rriten me 92% eksportet e mallrave! INSTAT: Në prill u eksportuan 28.6 mld lekë mallra

17 Maj, 22:54

Tregtia e mallrave në muajin prill ka kapërcyer jo vetëm shifrat e vitit të kaluar kur vendi ishte në karantinë, por edhe vlerat që nga viti 2009. Sipas të dhënave të INSTAT muajin e kaluar eksportet e mallrave arritën vlerën 28.6 mld lekë, duke u rritur me 92,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u eksportuan 14.9 miliardë lekë. Ndërkohë në prill të vitit 2019 eksportet ishin në vlerën e 27 miliardë lekëve.

“Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020, eksportet në muajin Prill 2021 u rritën me 25,8 %”, thuhet në raportin e INSTAT.

Përpos këtij përmirësimi eksportet muajin e kaluar janë ulur me 9,5 %, në krahasim me Mars 2021. Edhe importi i mallrave ka regjistruar rritje 72,9 %, në krahasim me një vit më parë, pasi janë blerë nga jashtë mallra me vlerë 63 miliardë lekë.

“Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020, importet në muajin Prill 2021 u rritën me 29,1 %”, vijon më tej raporti.

Ndërsa deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 59,4 %.

Sa i takon katërmujorit të parë të këtij viti gjithsej i janë shitur vendeve të huaja mallra me vlerë 108.9 miliardë lekë, nga 80.7 miliardë lekë që ishte në 2020, ndërkohë që janë blerë 225 miliardë lekë.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë Materialet e ndërtimit dhe metalet, minerale, lëndë djegëse, energji elektrike dhe grupi i  Tekstileve dhe këpucëve. Ndërsa tek importet si katërmujor, kanë ndikuar pozitivisht po makineritë, materialet e ndërtimit dhe produktet kimike dhe plastike.

 

Kategori të tjera

    Nuk u gjeten video për këtë Kategori!

Shiko të gjitha