'Magjia' në Elbasan Arena flasin heronjtë, Reja: Çunat më kënaqën!

11 Shtator 2019, 13:15

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, pas fitores me Islandën në Elbasan Arena me rezultat 4-2, u duk i kënaqur, por megjithëse fituam, për të nuk është arritur asgjë. Ai shprehet se gabimet e pjesës së dytë nuk duhet t’i dhurojnë më gola kundërshtarit. I pyetur nëse kishte një situatë problematike me vijën e mbrojtjes Reja ka thënë se golat mund të evitoheshin.

"Më bëhet qejfi që kemi fituar ndeshjen, por më vjen keq që kemi pësuar gola që mund të evitoheshin. Hymë në pjesën e dytë të përgjumur, dhe i dhamë një gol të shpejtë Islandës. Duke qenë se janë të fortë nga gjendja fizike, prisja që të dominonin. Por, ndodhi e kundërta dhe arritëm këtë rezultat." ka thënë Reja në një intervistë për 'Super Sport'.

Për sa i përket formacionit Reja ka thënë se ishte i kënaqur me lojën që bënë 'kuq e zinjtë' dhe me përgjigjen që ata dhanë në bazë të formacionit të rreshtuar.

"Me formacionin çunat më kënaqën të gjithë. Kemi një mesfushë teknike, Memushaj, Bare dhe Gjasula, që bëri rolin e digës. Gjetëm forca të reja, dhe lojtarë që mund të na japin për të ardhmen. Edhe në ndeshjen e parë me Islandën bëmë një takim të mirë, dhe nuk meritonim të humbnim. Skuadra po rritet. Kjo fitore na ndihmon. E vërtetë që ajo që ndodhi në fillim të pjesës së dytë nuk duhet të ndodhë më. Duhet të dyfishojmë sforcot kur jemi në avantazh. Jo gjithmonë fati do jetë me ne. Për mua nuk është problem kontrate. Nëse gjejmë akordin, mund të vazhdoj, por edhe mund të kthehem në shtëpi duke bërë akoma më mirë. Më pëlqen klima e grupit, dua ta rris akoma nivelin. Sot nuk kemi bërë asgjë. Morëm një fitore të madhe, por duhet të shohim të ardhmen. Kemi dy ndeshje në transfertë, duhet të marrim pikë dhe atje, të jemi të kënaqur." ka thënë Reja.