Manastirliu ndjek vaksinimin në Sheshin 'Skëndërbej': Procesi po vijon me moshat mbi 65 vjeç, nga e hëna ata mbi 60-vjeç me sëmundje kronike

11 Prill 2021, 11:17

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka parë nga afër vaksinimin masiv në Sheshin 'Skëndërbej' mëngjesin e sotëm, nga ku tha se tashmë procesi po vijon me grupmoshat mbi 65 vjeç dhe se ditën e hënë do të fillojë edhe  vaksinimi i personave mbi 60 vjeç, me sëmundje kronike.

"Tashmë kemi hyrë në grupmoshat mbi 65 vjeç, procesi ka vijuar që në mëngjes. Ne po ecim me ritme të shpejta falë edhe punës së ekipit të gjithë vaksinatorëve", tha Manastirliu.

Duke i kërkuar qytetarëve të vaksinuar të vijojnë të respektojnë masat anti-COVID, Manastirliu ka bërë apel për të gjithë personat mbi 60 vjeç, të regjistrohen pranë mjekut të familjes për ditën dhe orën e vaksinimit.

Ditën e nesërme pritet të fillojë edhe shpërndarja e 100 mijë vaksinave të Sinovac, ndërsa po ashtu, të hënën do të mbërrijnë edhe 7020 doza të vaksinës Pfizer.

Ndërkohë, që prej fillimit të vaksinimit antiCOVID janë kryer në total 256,848 vaksinime, prej të cilëve 182,669 vaksinime për të moshuarit. Një ditë më parë u kryen 6134 vaksinime anti-COVID, ndërsa objektivi i qeverisë që brenda muajit maj të jenë vaksinuar 500 mijë qytetarë.

Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars dhe po vijon me ritme mjaft të shpejta, ndërsa Barometri global e renditi Shqipërinë në vendin e parë për ritmin e vaksinimit në 7 ditët e fundit, duke lënë pas edhe Serbinë në rajon, por edhe vende të Bashkimit Evropian, të cilat e nisën më herët vaksinimin. Procesi i vaksinimit vijon për të moshuarit, mjekët, infermierët, stomatologët, farmacistët, arsimtarët, edukatorët, punonjësit e rendit dhe punonjës të medias.