Për mjekun Ilir Alimehmeti shtimi i masave të reja për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 në vend nuk mjaftojnë.
Gjatë një interviste për Report TV, mjeku Ilir Alimehmeti theksoi se baret dhe restorantet duhet të mbyllen për të paktën tre javë dhe të mbështeten nga qeveria.
Duke folur për zgjerimin e fashës orare të karantinës në vend të orës 20:00, mjeku Alimehmeti tha se kjo fashë orare do të bëjë që njerëzit të grumbullohen rreth orës 18-20.
Sa i takon tranportit publik, Alimehmeti theksoi se nuk duhet të ishte hapur fare, pasi risku i infektimit është shumë i lartë, ndërkohë që i u bëri thirrje qytetarëve që ta evitojnë sa më shumë.
'Nuk ka si mjafton 2 orë, nuk janë asgjë. Vendoset në bazë të disa masave më para. Kjo masë do të ketë efekt të vogël. Ajo që mund të ketë efekt më të madh në këtë masë është mbyllja e gjimnazeve, këtu pritet një efekt më i madh. U la dhe në heshtje pjesa smart working, puna nga shtëpia. Ato oraret 18:00 me 20:00 do të jenë akoma dhe më të dendura. Një masë e saktë dhe që do të kishte efekt madhor do të ishte mbështetja restoranteve dhe lokaleve dhe mbyllja totale e tyre të paktën për 3 javë.
Nuk kemi parë testim masiv të shkollave, duhet një testim masiv që të të shikohet. Duhet të jetë më 'elegante' mbyllja. Një shkollë në qendër të Tiranës nuk krahasohet me rrethinat. Kujdes të gjitha këto diskutime bazohen mbi kapacitetin tonë zbulues të rasteve.
Po ta marrim nga ana e riskut apsolut, transporti publik është i parë. Për mua transporti publik nuk duhet të ishte hapur fare. Ju mund të shihni shumë mirë që urbanët janë të mbipopulluara dhe ekspozimi është i ngushtë. Një maskë nuk zgjidh gjë. Të evitohet sa më shumë që është e mundur transporti publik, njësoj siç nuk duhet të frekuentosh një kafene me shumë njerëz. Kemi numrin më të madh të kafeve për frymë banorësh në botë. Të mbështetet transporti publik dhe kafenetë dhe të mbyllen.'- tha mjeku.
