Masat anti-COVID, qeveria mbyll klubet e natës dhe diskot

20 Korrik 2020, 12:26 | Përditesimi i fundit: 2020-07-20 14:33:16

TIRANE-Asnjëherë nuk u tha zyrtarisht që klubet e natës janë të hapura, megjithatë festat në shumë qytete, veçanërisht ato bregdetare, dëshmuan të kundërtën. Të rinj në grumbuj, në festa të kthyera në vatra potenciale infeksioni u panë në shumë klube e disko jo vetëm buzë detit, por edhe në mes të Tiranës në zonën e ish-Bllokut e më gjerë.

Nisur nga situata e rënduar me raste të shtuara dhe vdekje të pacientëve thuajse në çdo ditë, qeveria vendosi të dalë publikisht për të deklaruar mbylljen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

Në rast se do të konstatohet hapje e diskove biznesi do të gjobitet me 3 milionë lekë dhe një vit pezullim. Muzika pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdo lloji ndalohet dhe nëse vendimi nuk zbatohet subjekti gjobitet me një milion lekë dhe 6 muaj pezullim.

Vendimi i qeverisë për miratimin e aktit normativ vjen pas shumë denoncimeve, teksa Report Tv ka sjellë disa herë pamjet e asaj që ndodh nga jugu në veri të vendit me klubet e natës në bregdet, grumbuj dhe asnjë respektim të masave anti-COVID.

Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili;
- Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

- Ndalon muzikën pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdo lloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.