Masat ndaj koronavirusit/ Kontrolle në të gjitha pikat kufitare

28 Janar 2020, 11:18 | Përditesimi i fundit: 2020-01-28 15:51:12

Pas përhapjes së koronavirusit të ri, autoritetet shqiptare kanë nisur masat e sigurisë për të evituar mbërritjen e tij në vendin tonë. Kontrollet e shumta janë ushtruar në pikat kufitare, detare, ajrore dhe tokësore, për të bërë të mundur kontrollin e çdo individi që mbërrin në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu theksoi dje gjatë mbledhjes së task-forcës për masat ndaj koronavirusit se vendi ynë nuk është aq i rrezikuar sa vendet e tjera të BE, për shkak se nuk ka një linjë ajrore me Kinën.

Deri më tani ky virus ka marrë 106 jetë në Whuman, provincën e izoluar ku u shfaq për herë të parë, ndërsa numri i të prekurve ka shkuar më shumë se 4000.

Organizata Botërore e Shëndetit ka deklaruar se rreziku global i koronavirusit kinez është "i lartë" dhe nuk është më i moderuar siç u tha fillimisht.