Mbërrijnë 100 mijë vaksina kineze! Manastirliu: Shtyhet me 48 orë vaksinimi masiv!

8 Prill 2021, 19:50

Me nisjen e fluturimeve pas 24 orësh bllokimi të aeroportit të Rinasit, këtë pasdite është ulur avioni i parë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”  me vaksina anti-COVID.

Kanë mbërritur në Rinas 100 mijë doza të vaksinës kineze, ndërsa ngarkesa erdhi me një ditë vonesë, pasi ishte planifikuar të mbërrinte ditën e djeshme, por u pezullua si pasojë e ndalimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit.

Dërgesa e vaksinave u prit nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj.

Manastirliu u shpreh se për shkak të bllokimit të djeshëm të fluturimeve në Rinas, që penguan edhe ardhjen e vaksinave, plani i vaksinimit masiv është shtyrë me 48 orë, për shkak të procedurave që do të duhej të ishin bërë një ditë më parë. Ndërkohë, Ahmetaj dha lajmin e mirë se javën tjetër, të hënën ose të martën, do të mbërrijnë edhe 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze dhe se po negociohet për 50 mijë doza të vaksinës ruse, që do të vijnë në javët në vijim.  

Ditën e sotme, nga jugu në veri ka nisur tashmë në mbarë vendin vaksinimi i fashës së popullatës nga 65 vjeç deri në 70. Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars dhe po vijon me ritme mjaft të shpejta, ndërsa Barometri global e renditi Shqipërinë në vendin e parë për ritmin e vaksinimit në 7 ditët e fundit, duke lënë pas edhe Serbinë në rajon, por edhe vende të Bashkimit Evropian, të cilat e nisën më herët vaksinimin.