Mbërrijnë 1170 doza nga Pfizer! Rama: Brenda shkurtit marrim vaksinat e tjera!

1 Shkurt 2021, 22:50 | Përditesimi: 1 Shkurt 2021, 22:54

TIRANË-1170 dozat e reja të vaksinës anti-COVID të kompania Pfizer kanë mbërritur ditën e sotme në Shqipëri! Avioni me dozat e vaksinës është ulur në Rinas rreth orës 20:30, proces ky i gjithi i transmetuar “live” , pas kritikave në drejtim të kryeministrit Edi Rama për mungesë transparence me vaksinat e sjella nga vendi mik. Dozat u pritën nga Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Në konferencën për shtyp, shefi i qeverisë sqaroi se shkak pse nuk është marrë doza e plotë është bërë vonesa nga vetë kompania. Ky fenomen është i përhapur tashmë në shumë vendet e Europës, ndërkohë që kompania Pfizer ka deklaruar se në gjysmën e shkurtit do të fillojë sërish shpërndarja, me kapacitet të plotë. Pikërisht, nisur nga kjo, Rama theksoi se Pfizer zotohet se brenda muajit shkurt, do të vijnë dhe dozat e angazhuara, qoftë 10700 apo të 30 mijë të tjera.

Megjithatë, Rama shtoi se pavarësisht kësaj, shpresat nuk i ka “varur” vetëm te kjo kompani. Astrazeneca është një tjetër kompani me të cilin po negociohet, madje edhe me 4 shtete të tjera, brenda dhe jashtë BE-së me qëllimin për të siguruar vaksinat anti-COVID. Megjithatë, përjashtohen vaksinat ruse dhe kineze. Ky vendim do të ndryshohet, në rast se BE-ja do të hapet përballë këtyre vaksinave, në të kundërtën Shqipëria do të vijojë të marrë vaksina vetëm nga blloku perëndimor.

Nga ana tjetër, Rama deklaroi se është e pamundur që t’i dhurojnë vaksina Kosovës. Kjo sepse ia ndalon kontrata, por gjithsesi në vijim të premtimit të dhënë, shefi i qeverisë deklaroi se 50 mjekë nga spitali COVID i Prishtinës do të vaksinohen në Shqipëri.

Nga Rinasi, vaksinat do transportohen në Institutin e Shëndetit Publik, të shoqëruara nga makinat e policisë së Shtetit, siç ka ndodhur në të gjitha vendet e Europës. Më pas nga ISHP-ja, aty ku ruhen në temperaturën -80 gradë, do të bëhet edhe shpërndarja në qendrat e vaksinimit, siç është ‘Air Albania’. Me 1170 dozat e reja të marra nga Pfizer, do të vijojë procesi i vaksinimit me mjekët dhe infermierët dhe më pas në shkurt me të moshuarit.

b.ha./Shqiptarja.com