Mbledhja e parë e Komisionit Hetimor për Shkarkimin e Presidentit Ilir Meta

11 Korrik 2019, 13:22 | Përditesimi i fundit: 2019-07-11 14:07:30

Komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e tij të parë. Gjatë mbledhjes së sotme komisioni vendosi të zgjedhë sekretare deputeten socialiste Klotilda Bushkën, një emër i sjellë në propozim nga Bashkim Fino dhe i votuar në konsesus nga anëtarët e tjerë të komisionit.

Me vota unanime u zgjodhën edhe dy bashkë-relatorët Halit Valteri dhe Alket Hyseni. Kryetari i Komisionit Ulsi Manja deklaroi se deri në mbledhjen e ardhshme dy bashkë-relatorët duhet të përgatisin një projekt rregullore dhe plan paraprak për punën e këtij komisioni.

Ai u shpreh se komisioni do të hetojë njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës  lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore.

Brenda muajit korrik komisioni hetimor do të zhvillojë dhe 3 ose 4 mbledhje të tjera.

Kuvendi i Shqipërisë, gjatë seancës të së hënës, miratoi me 101 vota pro dhe 6 kundër ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. 

Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij  9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re.

Mazhoranca kërkon shkarkimin e Ilir Meta nga detyra e presidentit, pas shfuqizimit të 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.