Shkarkimi/ Meta 3 muaj në hetim! Rama: I çoroditur nga drejtësia, hakërrues që duhet ndalur! E ka derdhur kupën /Video

TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë me 101 vota pro dhe 6 kundër votoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat fillimisht i anuloi dhe më tej shpalli një datë të dytë për to, 13 tetorin. Ndërkohë, raporti i komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës mori 102 vota pro, 7 deputetë nga opozita e re votuan kundër, ndërsa pati edhe dy abstenime.

Duke e vlerësuar këtë akt në shkelje të rëndë të kushtetutës, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, tha se Presidenti e ka mbushur kupën dhe duhet të ishte shkarkuar me kohë. Megjithatë tha Rama, kjo do të ndodhë vetëm pasi komisioni hetimor të bëjë punën e tij.

Referuar pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, 22.9%, kreu i qeverisë tha se se mungesa e besimit të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe shkak i ndërhyrjes së Metës në proces me anë të dekretit të tij, por edhe sulmeve të dhunshme të opozitës deri pak para ditës së zgjedhjeve. Rama u shpreh se opozita me rrugën që ka nisur edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2021-shit nuk ka shanse të fitojë.

Shefi i mazhorancës tha se Meta është një armi i hershëm i mazhorancës, por tashmë është kthyer edhe në një armik të Kushtetutës dhe parlamentit. Frika e Presidentit Meta, sipas Ramës, është reforma në drejtësi duke e quajtur "vetë shëmbëlltyrën e tërbimit të të tremburve nga drejtësia" Ai e etiketoi Presidentit si një njeri të çoroditur hakërrues dhe qesharak dhe që duhet të hetohet nga Parlamenti.

Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij  9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re. Në krye të komisionit hetimor është kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:57
Deputetja e opozitës së re nga LSI: Meta rezistenca e fundit e demokracisë, nuk keni parë gjë akoma

Deputetja e opozitës së re nga listat e LSI, Elda Hoti deklaroi se presidenti Ilir Meta nuk mund të shkarkohet pasi ai është rezistenca e fundit e demokracisë. Ai madje kërcënoi edhe mazhorancën duke thënë se nëse shkarkohet presidenti, nuk keni parë gjë akoma.

“Kur pranova mandatin e deputetes dyshova nëse po bëja atë që duhej. Mbështesja çdo nismë të LSI, përveç djegies së mandateve. Ju kurrë nuk do ta shkarkoni presidentin, aventurat diktatoriale janë të destinuara të dështojnë. Do të jem kundërshtare për të rrëzuar rezistencën e fundit të demokracisë. Nëse do të provoni të shkarkoni kreun e shtetit, po ju them se ju nuk keni parë asgjë akoma”, u shpreh Hoti.

Ora 18:58
Shkarkimi i Metës/ 3 deputetët e rëndësishëm që munguan në Kuvend

1562179196_rudinahajdari.jpg

Në seancën parlamentare ku u votua ngritja e Komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas zhdekretimit të 30 qershorit, munguan tre deputetë të opozitës. Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni nga i të pavarurve.  Rudina Hajdari dhe kolegu i saj Myslim Murrizi e ndoqën seancën plenare nga kafeneja e Kvuendit duke mos marrë pjesë në votim. Rudina Hajdari është shprehur edhe më herët se është pro hetimit të Presidentit Ilir Meta, por se këtë duhet ta bëjë Gjykata Kushtetuese dhe se një komision hetimor në këtë situatë politike do ta acaronte edhe më tej situatën. 

Ora 18:49
Balla: Hera e parë në 28 vite që Kuvendi ngre një komision hetimor për kreun e shtetit

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se është hera e parë në 28 vite Kuvend që ngrihet një komision për hetimin e presidentit të Republikës.

"Nuk ka shumë për të diskutuar në këtë seancë. Si një prej 55 firmëtarëve të kësaj kërkese e cila në 28 vite të këtij Kuvendi është hera e parë që ngrihet një komision hetimor për të hetuar veprimet e kreu të shtetit. Do doja t'i kërkoja të gjithë deputetëve ta ngrejnë këtë komision me konsesus të plotë dhe me një transparencë për publikun që të përmbushen pritshmëritë e kërkuesve. Dua t'iu kërkoj të votoni pro ngritjes së këtij komisioni", tha Balla.

Ora 18:48
Kujtim Gjuzi për Metën: Duhet shkarkuar se ka përgjegjësi për thesarin e Krrabës, bashkë me Gadafin hutuan shqiptarët

Deputeti i opozitës së re Kujtim Gjuzi deklaroi se Presidenti Ilir Meta duhet të hetohet për thesarin e Krrabës përveç dy datave të zgjedhjeve që sollën konfuzion te shqiptarët.

"Ilir Meta pse duhet shkarkuar. Ai ka përgjegjësi për thesarin e Krrabës, për grabitjen e mandateve në 2001 me Dushkun e famshëm. Ka pas ndikim në Nikël deri sa erdhën kë Kuvend deputetë të tjerë të opozitës. Ka çeduar me dy data zgjedhjesh. 85% e shqiptarëve nuk kanë ditur çfarë të bëjnë se çfarë thotë presidenti dhe çfarë thotë gjeneral Gadafi(kryeministri). Ju duhet të thoni na falni se zgjodhëm Ilir Metën", tha Gjuzi.

Ora 18:47
3 muaj hetim për Ilir Metën /101 vota për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin

1562604590_Screenshot1.jpg

Me 101 vota pro, 6 kundër, 3 abstenim dhe 1 deputet që nuk ka votuar, Kuvendi i Shqipërisë, me votim elektronik, vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Komisioni hetimor mbi shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të zgjasë tre muaj.

Ky hetim ka për qëllim njohjen si dhe verifikimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencave nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në përputhje me parimet kushtetuese si parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale, si dhe nxjerrjen e përgjegjësisë konkrete institucionale.

Ora 18:35
Deputeti i Bindjes Demokratike i kutjon demokratëve 'tradhtinë' e Metës: Sot po e bëni hero

1562604145_andipermeti.jpg

Deputeti i opozitës së re, njëherazi një nga themeluesit e Bindjes Demokratike, Andi Përmeti i kujtoi demokratëve paktin e Metës me socialistët.

"A ju kujtohet se çfarë i ka bërë Meta elektoratit të djathtë në vitin 2013 duke i tradhtuar për të sjellë në pushtet këtë që keni mbrapa. Ju atë sot e keni hero dhe unë për këtë ndjej keqardhje", tha Përmeti.

Ora 18:33
Zbardhen emrat e anëtarëve të komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Meta

1562600687_parlament7.jpeg

Kuvendi ka nisur një seancë të posaçme plenare për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta Meta. Pas miratimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Kuvendi pritet të votojë në seancë, ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj presidentit Meta. 

Komisioni Hetimor përbëhet nga:
1-Ulsi Manja, kryetar
2-Vasilika Hysi, anëtar
3- Klotilda Ferhati, anëtar
4-Bashkim Fino, anëtar
5-Alket Hyseni, anëtar

Nga opozita parlamentare:

1- Alban Zeneli- Zv. kryetar
2- Halit Valteri
3- Adriatik Alimadhi

Nga deputetët jashtë grupeve parlamentare:

1-Krenar Rryçi

Ora 18:20
Gafa e deputetit të opozitës së re, Maliqi: Ulsiun po e heton BILD-i

Deputeti i opozitës së re, Lefter Maliqi, duke akuzuar mazhorancën nga foltorja e parlamentit për shkarkimin e presidenit Meta ka bërë një gafë të rëndë. “Në krye të komisionit hetimor, është Ulsiu që po hetohet nga BILDI-i”, tha ai mes të tjerash. Teleshikuesit duhet të jenë çuditur me këtë deklaratë, sepse BILD-i është një gazetë gjermane dhe nuk është as gjykatë as prokurori. Përmes gazetarit Peter Tiede, gazeta ka publikuar përgjimet për fushatën elektorale 2017, por vetëm kaq.

Ajo nuk ka asnjë tagër të hetojë apo të gjykojë dikë, aq më pak duke qënë një media e huaj. Mesa duket, deputetët duhet të kenë kujdes për çfarë thonë sepse, në fund të fundit, janë përfaqësuesit e popullit.

Ora 18:13
Sulmin ndaj SHBA/ Rama: Meta si Vojo Kushi e Mic Sokoli me kostum banje

Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama nuk la pas edhe sulmin që presidenti Ilir Meta i ka bërë ndërkombëtarëve. Kreu i qeverisë bëri edhe batuta ndaj Metës, ndaj deklaratave të tij se ishte si Vojo Kushi apo Mic Sokoli

"Me shtrirjen e rrezes të agresionit të tij mbi miqtë dhe partnerët amerikanë na turpëron të gjithë si deputetë, edhe ty si qytetar, si popull, si shtet. Si mund të ketë Shqipëria sot në NATO, kandidate për në BE, një kryetar shtetit që duket si aktor komik që imiton presidentin. Që kur flet seriozisht të bën për të qeshur, kur flet me të qeshur të bën për të qarë.

Një kryetar shteti që e paraqet veten një Vojo Kush me kravatë mbi çatinë e ambasadës së BE dhe që e imagjinon ambasadën amerikane si topin ku vendos gjoksin e tij prej Mic Sokoli me kostum banje. Sëmundja e vërtetë e këtij kreu shteti është ajo e personazhit të Dostojevskit, që gënjen veten për të gënjyer tjerët, prandaj ai është i sëmurë”, - tha Rama.

 

Ora 18:06
Deputeti i opozitës së re: Po bëni një farsë, komisionin për Metën e drejton Ulsiu që na nderoi me Dibrën

Deputeti i opozitës së re në parlament Lefter Maliqi e quajti seancën sotme një farsë dhe një gjyq politik. Ai tha se shqiptarët duhet të kuptojnë se nuk ka gjë më të keqe se mosmirënjohja ndaj njeriu që  i solli në pushtet në 2013.

"Shqiptarë kjo është një farsë dhe një gjyq politik. Kryeministri i Rilindjes dhe vetë e patë se lotët e tij tregonin disfatën nga zgjedhje në zgjedhje. Sot foli me ëndrrën e tij. Sot i bëni gjyqin politik një njeriu që iu solli në pushtet në 2013. Shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë se nuk ka gjë më të keqe se mosmirënjohja. Këta e shikojnë në ëndërr atë. Ka një varfëri, papunësi lidhje me krimin dhe bandën. Komisionin e hetimor e drejton Ulsiu që na nderoi me Dibrën. Ata thanë se do abstenojnë por Taulanti i kapi një nga një dhe i ndryshoi mendje. këta nuk e kuptojnë gabimin. Është turp kush na drejton", tha Maliqi.

Ora 18:02
Nimet Musai: Zgjedhjet u anuluan si një ndeshje pak para nisjes, ekonomia në kohë krize mund të jetë minë me sahat

1562600687_parlament7.jpeg

Në seancën plenare, Nimet Musai kreu i grupit parlamentar të deputetëve të pavarur që përbëhet nga deputetë nga listat e LSI, bëri një paralelizëm të situatës politike në vend dhe anulimit të zgjedhjeve nga presidenti Ilir Meta me një ndeshje futbolli të anuluar pak para nisjes.

"Një miku që vjen nga bota e futbollit e quan kështu krizën politike: Data erdhi, lojtarët ishin gati dhe aty mori vesh që kundërshtari s'kishte ardhur. Të nderuar kolegë deputetë është në përgjegjësinë totale të secilit se ushtrimi i sovranitetit të popullit nuk mund të dalë mbi asgjë. Duam rezultate nga Reforma në Drejtësi, duam një Gjykatë kushtetuese dhe të Lartë, duhet reflektim në ekonomi. Ekonomia në kohë krizash politike mund të shndërrohet në minë me sahat. Na duhet një sistem i ri zgjedhor, një sistem për shqiptarët të cilët duhet të kenë besim në sistemin e tyre zgjedhor. Ndryshe kriza të ngjashme me të sotmen do t;i kemi sërish nesër dhe pasnesër", tha Musai.

Ora 17:50
Rama: Meta të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë, deputetët të mos e zhysin veten në batak

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje presidentit Ilir Meta të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë. Ai tha se deputetët e rinj duhet ta votojnë komisionin që të mos e zhysin veten në batakun ku presidenti do ta zhysë Kuvendin.

"I bëj thirrje të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë. Të ndërpresë çdo sulm ndaj SHBA, çdo sulm ndaj parlamentit. Të ndërpresë aktivitetin e tij të paligjshëm me postin e tij ku duhet të sillet në zbatim të kushtetutës. Të ndalojë paralelizmat me figurat të njohura të historisë, por kjo mbetet një vërejtje miqësore. Çdo deputet duhet ta votojë komisionin për të mos zhytur veten e tij në batakun ku presidenti do ta zhysë këtë parlament", tha Rama.

Ora 17:48
Rama: Meta nuk e ka mbushur kupën, e ka derdhur! I kapërceu shtetit si tank armik

Kryeministri Edi Rama tha se shkarkimi i presidentit Ilir Meta është një lëvizje e detyruar. Rama tha përmes një shprehje popullore,  se Meta jo vetëm që e ka mbushur kupën, por e ka derdhur atë.

"Shkarkimi është një lëvizje me detyrim përcaktim. Detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin përpara Kuvendit. Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur. Një njeri i neveritur si politikan, si mbajtësi i vulës së lartë që ka humbur të drejtën të jetë. Meta i ka kapërcyer sipër shtetit si të ishte një tank armik. Me zakon Ilir Meta duhej shkarkuar qysh në ditën që u hodh si raketë anti-amerikane, por me ligj ai mund të shkarkohet vetëm pasi komisioni hetimor parlamentar të kryejë detyrimin kushtetues të hetimit të fakteve, dhe raportimin e përfundimit të hetimeve me shkeljen e rëndë të kushtetutës. Ndryshe nga Ilir Meta, ne kemi zgjedhur forcën e shembullit ligjor", tha Rama.

Ora 17:37
Rama: Sfida më e madhe e Metës është të mos gënjejë veten, shkon në Tropojë dhe i duket sikur kalon në Spaç

Kryeministri Edi Rama deklaron se Ilir Meta ka ofenduar disa herë vullnetin e parlamentit dhe miqtë ndërkombëtarë. Rama tha se Meta u përpoq të shuajë zjarrin në fikje të protestës së opozitës duke çuar në dhunim ndaj shkollave dhe materialeve zgjedhore.

"Si mund të ketë Shqipëria sot një president që në një konferencë shtypi deklaron se është gati të bëjë një test mendor që nuk ia ka kërkuar askush edhe pse mund të ketë ngjallur dyshime.  Siç thotë Dostojevksi sfida më e madhe nuk është të mos gënjesh por të mos gënjesh veten. Por nëse Ilir Meta mund t'ia lejojë veten të ngatërrojë gjithë dynjanë, si një njeri që shkon për në Tropojë dhe i duket sikur kalon nga burgu i Spaçit, por ku parlamenti nuk mund të lejojë mbylljen e syve për ballë kësaj rrezikshmërie. Ilir Meta ka refuzuar harbutërisht dekretimin e ministrave më shumë se një herë duke kthyer mbrapsht vullnetin e këtij parlamenti, duke e kërcënuar duke lënë të kuptohet se edhe mund ta shpërndajë fare. Ka luajtur role dhe lojëra që asnjë president tjetër nuk e ka bërë. Aq larg s'ka shkuar sa edhe vetë paraardhësi i tij, një rreshter na duket sot se Xhefersoni. Ka kaluar edhe cakun e fundit duke luajtur deri në fund me zjarrin që plani për zjarrvënien e Shqipërisë të mos dështonte. Ai ndërhyri në mes të fushatës elektorale për të shuar zjarrin në fikje të protestës së opozitës duke shuar dhunën e protestën duke sjellë djegie të shkollave dhe dhunim të materialeve zgjedhore. Ai fyeu edhe miqtë e Shqipërisë me letra si të ishte qytetari digjital që ankohet për djegien e të mbathurave", tha Rama.

Ora 17:36
Rama: Do depolitizojmë administratën zgjedhore

Kryeministri Edi Rama u ndal të komentonte raportin paraprak të OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 30 qershorit. Rama tha se mungesa e gjerë e besimit u shkaktua nga ndërhyrja e dhunshme e presidentit Ilir Meta me antidekretin e tij në mes të procesit zgjedhor. Ai deklaroi se këto ishin zgjedhjet e fundit që administrohen nga partitë politike.

"Ata thonë se raporti paraprak i OSBE ka konfirmuar pozicionet e opozitës protestuese dhe presidentit. Por në fakt ajo ka evidentuar një proces krejt anormal për shkak të shkeljes së kushtetutës nga ana e presidentit. Mungesa e gjerë e besimit të publikuar është një fakt i pakontestueshëm por është fakt se ka ardhur për shkak të ndërhyrjes së Ilir Metës në proces me anti dekretin e tij në proces. Ai shantazh mpiu për një moment edhe vetë strukturat tona, lëre më zgjedhësin. Di mund të ruhej besimi pas provokimit të Ilir Metës. Politizimi i komisioneve është një fat i njohur botërisht. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Ne do depolitizojmë administratën zgjedhore. OSBE ka thënë se ka pasur probleme me verifikimin e adresave Por raporti thotë se në masë të madhe se listat e zgjedhësve u hoqën nga bashkitë e opozitës nga mes të procesit zgjedhor. Ata vërshuar në mbrojtje te idesë revolucionare imagjinare të presidentit", tha Rama.

Ora 17:31
Shkarkimi i Metës: Kuvendi voton për Komisionin Hetimor Parlamentar (FOTO)
Ora 17:31
Rama: Meta i çoroditur nga drejtësia, hakërrues e qesharak aset i vyer politik i mazhorancës...por që duhet ndalur!

Kryeministri Edi Rama tha se me veprimet që ka bërë duke zhdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit e duke caktuar më tej 13 tetorin si datë për mbajtjen e tyre, është një aset për mazhorancën, pasi sipas tij, edhe të pakënaqurit me PS-në, duke parë sjelljen e kreut të shtetit, nuk do ta çonin votën për tjetër parti veç PS-së.

"Në kushtet kur 30 qershori i ka mbijetuar agresionit më të egër, më të turpshëm, antidemokratik që politika ka ndërmarrë ndonjëherë 30 vitet e fundit kundër interesit kombëtar, Ilir Meta do ishte politikisht për ne një kundërshtar që nuk duhet ndaluar të gabojë më tutje. Ashtu i dizekuilibruas prej frikës nga drejtësia, i çoroditur prej disfatës së operacionit antikombëtar, hakërrues dhe qesharak, ai është sot një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse. Me atë lloj figurine kërcënuese në presidencë edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do trembeshin ta çonin votën tjetërkund pas 2 vitesh", tha Rama.

E megjithë favorin që Meta me veprimet e tij i bën vetë mazhoranvës, kreu i qeverisë tha se ai duhet ndalur për vetë dëmin që i ka bërë kushtetutës dhe demokracisë.

"Ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Metën të gabojë më tej. Se dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm se çdo kalkulim elektorale, Ilir meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky kuvend dhe reagimi jonë si deputetë duhet të jetë frontal, ne emër të kushtetutës, demokracisë dhe dinjitetit të shtetit shqiptar.  Duhet të na bashkojë një emërues pavarësisht cdo interesi politik që natyrshëm na ndan. Meta nuk është më thjesht kundërshtar i qeverisë, është armiku i hapur i kushtetutës. Është armiku i deklaruar i parlamentit. Nuk është më politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi, është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia", tha shefi i mazhorancës.

Ora 17:22
Rama: 85 % e popullit na refuzuan - thonë të shkretët...por llogarisin edhe të ikurit me ambasadatat

Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e 30 qershorit ishte një fitore për PS-në krahasuar edhe me kohën e zgjedhjeve të 2015-ës kur PS garoi në aleancë me LSI-në. Kreu i qeverisë tha se PD-ja e quan fitore faktin që 85% e shqiptarëve nuk votuan, kur ndërkohë sipas tij llogarit në këtë shifër edhe shqiptarët që janë larguar nga vendi, emigrantët, ata që qëndruan në shtëpi dhe ata që bënë plazh - siç u shpreh Rama. Ai premtoi se në zgjedhjet e ardhshme mazhoranca (duke shpresuar edhe në votën e opozitës parlamentare) do të miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të garantuar edhe votën e emigrantëve.

"Kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon - thotë Napoleon Bonaparti. Por sot nuk jemi mbledhur këtu të ndalojmë kundërshtarin tonë. Si kundërshtar i kësja shumice qeverisëse Meta nuk duhet ndaluar në qorrmarshimin e tij të trishtueshëm të historisë politike. Politikisht ai na e bën më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, sepse njerëzia e shohin lakuriq të vërtetën e armiqësisë së Metës kundër shumicës, nga dëshpërimi prej disfatës të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve, që synonte pengimin e reformës në drejtësi dhe celjen e negociatave për anëtarësim. I kam ndjekur në një ndjenjë mëshirë budallallëqet e fallxhores Monikë dhe akrobacitë e artistit Lul, së bashku me mufkat e haxhiut Ilir. Që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre  deri tek fajësimet e dëshpëruara në adresën tonë lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe me raportin paraprak të misionit të ODIHR. Fatmirësisht e kam thënë disa herë gjatë fushatës se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet memdhunë do të rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t'i pengonte ata të shpallnin fitoren e radhës, e kam ditur që do t'i numëronin si fitore shqiptarët jashtë shtetit, ata në shtëpi dhe at anë plazh. S'ka më keq për humbësit sesa të sillen si fitimtarë. S'ka më mirë për fituesit se humbësit nuk e kuptojnë që kanë humbur. 85 % e popullit refuzoi Ramën - thonë të shkretët. Por i llogarisin të tërë, që nga të ikur në kohën e ambasadave, si prezentë në Shqipëri 30 qershorin e fundit. Janë këta që e pengojnë përfshirjen e emigrantëve në Kodin Zgjedhor. Theksoj bindjen tonë se emigrantët duhet ta kenë të drejtën e votës, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme. Uroj edhe me dakordësinë e opozitës parlamentare. E vërteta është se pjesëmarrja e 30 qershorit ka tejkaluar cdo pritshmëri tonën. Ne kemi marrë përqindje më të lartë se ckishte koalicioni fitues në 2015. Po ashtu një numër shumë më të madh votash për kandidatët në një garë ku gjysma e tyre nuk kishin kundërshtarë. Krahasuar me një garë më parë në aleancë me LSI-në është vetëm 4 % më pak. Po të kishte qenë tjetër garë deri natën e fundit me preison mbi zgjedhësit kjo përqindje do të ishte më e lartë se vitit 2015. Ta lexosh si refuzim popullor pjesëmarrjen dhe ta shohësh rezultatin tonë si tkurrje elektorale e shumicës do të thotë të mos kuptosh se cfarë vjen më mbrapa. Qoftë zhvillimi i zgjedhjeve, qoftë rezultati ynë, qoftë verbëria e opozitës, e tregoi që sot pse ajo opozitë nuk ka asnjë shans rikthimi tek fitorja", u shpreh kryeministri Edi Rama. 

Ora 17:16
Ulsi Manja: Meta u ftua në komision, por u përgjigj me një gjuhë ironike dhe fyese

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, në hapje të seancës ku do të diskutohet ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi se presidenti Ilir Meta u ftua në komision, por jo vetëm që nuk mori pjesë por u përgjigj me një gjuhë ironike dhe fyese.

"Baza kushtetueses, kërkesa e paraqitur për shqyrtim është propozuar nga një grup prej 55 deputetësh. Procedura e shqyrtimit. Komisioni i ligjeve nis shqyrtimin e kësaj kërkese e cila u prezantua nga Taluant Balla dhe Ervin Bushati. Balla paraqiti rrethanat mbi të cilat bazohet kërkesa e deputetëve se akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit bien në kundërshtim me parimet e republikës parlamentare. Balla kërkoi nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës.

Në cilësinë e kryetarit të komisionit të ligjeve kam vënë në dijeni presidentin Ilir Meta lidhur me datën e mbledhjes së radhës me qëllim garantimin e të drejtës së tij për të qenë në komision. Në përgjigje të kësaj ftese ka ardhur një shkresë më gjuhë jo zyrtare, ironike dhe fyese presidenti përmes sekretares refuzoi pjesëmarrjen. Komisioni ka konstatuar se presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin e datën 30 qershor. Në përmbushje të kësaj kanë nisur procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve. ishin ngritur komisionet, listat e zgjedhjeve, ishin kryer regjistrimet e partive politike dhe kishte filluar fushata zgjedhore. ndërkohë që kishte filluar fushata zgjedhore presidenti shfuqizoi dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve. Sipas këtij dekreti anulohet 30 qershori si datë për zgjedhjet vendore. Arsyet kanë të bëjnë me shqetësimin e thellë për situatën politike në vend, vetëdijes se në këto kushte nuk do kishte zgjedhje", tha Manja.

Ora 16:50
Lëvizje e minutave të fundit/ Ndryshon numri i anëtarëve të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës

Pas krijimit të Grupit Parlamentar të Partive të Djathta të drejtuar nga Adriatik Alimadhi, pritet që numri i anëtarëve të Komisionit Hetimor të rritet nga 9-11. Kjo sepse Alimadhi ka kërkuar që edhe grupi i tij parlamentar të ketë përfaqësues.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • 007: 08/07/2019 18:58

    Znj. Hajdari. Po ju ku u ishit gjatë votimit ???

    Përgjigju
  • asl: 08/07/2019 18:12

    Hiqe Ilirin se i asht ba koka si qen stani.

    Përgjigju
  • nje zonje: 08/07/2019 18:09

    iliri ska me vend ne presidence .Me sjelljet e tij po edukon keq te gjithe te paformuarite shoqerise qe mendojne se si ai mund te bejne dhe ata dhe tia dalin

    Përgjigju
  • erdhi koha: 08/07/2019 17:48

    ed rama e doje qeverine populli ta dha !!!TANI ka erdh koha te besh SHTET SHQIPETAR!!!!

    Përgjigju
  • Papi: 08/07/2019 12:33

    Komisioni te bej punen e vet si komision hetimor sa per gjygjin e kane te tjere ne dore

    Përgjigju
  • Shkodrani: 08/07/2019 11:45

    Po e hoqet presidentin edhe per 10 vjet voten time dhe familjarisht do e keni

    Përgjigju
  • Donela: 08/07/2019 10:21

    O Zot sa i peshtire president,ngjan shume me koken e Qim Pekes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Meta sulmon sërish Altin Dumanin: Nuk i druhem një prokurori që s’di të thotë dy fjalë

Meta sulmon sërish Altin Dumanin: Nuk i druhem një prokurori që s’di të thotë dy fjalë