TIRANË-Komisioni hetimor për hetimin e presidentit Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e tij të parë. Gjatë mbledhjes komisioni vendosi të zgjedhë sekretare deputeten socialiste Klotilda Bushkën, një emër i sjellë në propozim nga Bashkim Fino dhe i votuar në konsesus nga anëtarët e tjerë të komisionit.
Me vota unanime u zgjodhën edhe dy bashkë-relatorët Halit Valteri dhe Alket Hyseni. Kryetari i Komisionit Ulsi Manja deklaroi se deri në mbledhjen e ardhshme dy bashkë-relatorët duhet të përgatisin një projekt rregullore dhe plan paraprak për punën e këtij komisioni.
Ai u shpreh se komisioni do të hetojë për 3 muaj njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore.
Brenda muajit korrik komisioni hetimor do të zhvillojë dhe 3 ose 4 mbledhje të tjera.
Kuvendi i Shqipërisë, gjatë seancës të së hënës, miratoi me 101 vota pro dhe 6 kundër ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re.
Mazhoranca kërkon shkarkimin e Ilir Meta nga detyra e presidentit, pas shfuqizimit të 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.