Mbyllet aksioni, IKMT shemb 33 objekte tek 'Astiri! Policia gaz lotsjellës, banorët bomba molotov

12 Nëntor 2019, 20:00

TIRANE- Në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, ashtu siç e kishte paralajmëruar IKMT, ka nisur procesi i prishjes së objekteve tek zona e ‘Astirit’, për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Re.

Banorët e ‘Astirit’, të cilët për muaj me radhë kanë protestuar kundër zhvillimit të kësaj zone, me pretendimin se shteti po i nxjerrë nga shtëpia pa i dëmshpërblyer, ishin organizuar që mbrëmjen e djeshme. Ata kanë qëndruar gjatë gjithë natës në ‘gatishmëri’, pas paralajmërimit të IKMT se afati për të liruar objektet, ishte dita e djeshme.

Banorët sapo kanë parë fadromat e IKMT, kanë nisur që të sulmojnë me gurë dhe bomba molotovë, e kjo ka sjellë edhe reagimin e Policisë së Shtetit e cila ka përdorur gaz lotsjellës. Nga incidentet kanë mbetur të lënduar pesë punonjës policie, si dhe 8 banorë, të cilët janë dërguar në spital dhe kanë marrë ndihmën mjekësore.

Pas tensioneve, situata është qetësuar, duke bërë që fadromat e IKMT-së të vazhdojnë punën për shembjen e objekteve. 33 objekte janë të planifikuar për t’u prishur ditën e sotme.

Për situatën e krijuar në ‘Astir’, reagoi Presidenti Meta, i cili e cilësoi si të papranueshme dhunën e përdorur nga autoritet shtetërore ndaj banorëve. Reagim pati edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u bëri thirrje banorëve që të mos sabotojnë Tiranën.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk ishte i pranishëm tek zona e ‘Astirit’, por zgjodhi të shkonte në spital për të vizituar banorët e lënduar. Nga spitali i Traumës, Basha premtoi se kur PD të vijë në pushtet, të gjithë ata që janë prekur nga ndërtimi i këtij aksi rrugor, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut.

    No videos found.