Me 41 kg heroinë në bagazhin e makinës, arrestohet 31-vjeçari pranë Rinasit! ‘Kyç’ gojën para hetuesve, droga në treg me vlerë gjysmë milioni euro! Në kërkim bashkëpunëtori

1 Prill 2023, 15:18

TIRANË- Një 31-vjeçar është arrestuar pasi është kapur duke transportuar heroinë me makinën e tij, ndërsa në kërkim është shpallur një bashkëpunëtor i tij. Armando Papa u arrestuar nga uniformat blu teksa transportonte 41 kg e 700 gram heroinë me makinën e tij në drejtim të Rinasit.

Papa është ndaluar nga policia për kontroll në rrethrrotullimin e aeroportit dhe në bagazhin e makinës i është gjetur e fshehur lënda narkotike e ndarë në 62 pako, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës. Papa është banues në Fushë Kuqe të Kurbinit.