'Më duhen 200 mijë euro!' Artan Hoxha: Si u mbyll dosja menjëherë pasi Meta erdhi në pushtet

22 Maj 2019, 21:33

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka shpjeguar në emisionin "Repolitix" në Report Tv, pëgjimet në dosjen 978 kundër Kastriot Ismailajt, në të cilat ka dalë edhe përfshirja e Presidentit Ilir Meta, në atë kohë, në opozitë, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Një njeri me imunitet siç ishte Ilir Meta, nuk lejohej të përgjohej, dhe oficeri i Policisë Gjyqësore në dosjen e Prokurorisë, thotë se nga përgjimet për biznesmenin Ismailaj nën akuzë për pastrim parash, ka dalë i përfshirë edhe një person i ekspozuar politikisht. Numri që ka dalë në përgjimet ndaj Kastriot Ismailajt, në atë kohë ishte në përdorim nga Ilir Meta, (0682031701) ndërsa aktualisht nuk përdoret më prej tij, pasi Presidenti ka numër tjetër.

Përgjimi mban datën 22 qershor 2009, dy ditë para zgjedhjeve. Sipas përgjimeve, të cilat edhe pse janë asgjesuar, disponohen nga gazetari Hoxha, Kastriot Ismailaj ishte kontaktuar nga Ilir Meta, i cili i kishte kërkuar 200 mijë euro.

 "Nesër në darkë (më 23 qershor), duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro",thuhet në mesazhin dërguar nga numri i Ilir Metës drejt Kastriot Ismailajt.

Sipas gazetarit investigativ, bëhet fjalë për një dosje me 8 mijë faqe të transkiptuara, ku pikërisht nga kjo dosje e madhe ka dalë edhe në biseda të tjera, përfshirja e Ilir Metës, jo vetëm me mesazhe por edhe me biseda telefonike.

Dosja në fjalë, është pushuar, dhe të gjitha përgjimet e traskiptuara dhe disqet janë asgjësuar me një vendim gjykate në dhjetor 2010.

Ajo që bie në sy, është fakti se dosja është pushuar menjëherë pas ardhjes në pushtet të Ilir Metës, që në atë kohë bëri aleancë me Partinë Demokratike, me kryeministër Sali Berishën.

"Pas zgjedhjeve të qershorit 2009 situata ndryshoi, Meta hyri në koalicion me PD, dhe cuditërisht hetimet ndalojnë, dosja është pushuar më 27 dhjetor 2010", tha Artan Hoxha i ftuar në Repolitix.

Në vendimin e pushimit, - tregon gazetari Hoxha, sërish përdoret një shprehje nga prokurori Gentian Osmani që fakton përfshirjen e Ilir Metës në këtë çështje, edhe pse jo drejtpërdrejt me emër: "Nga procesverbalet e transkiptimeve midis shtetases amerikane dhe biznesmenit del në pah gjendja ekonomike, nga njëra anë nuk ka lekë për të paguar një biletë avioni nga njëra anë flitet për transferta në vlera të mëdha. Ata kanë punuar së bashku dhe kanë lidhje shoqërore në rangje të larta politike në vend dhe në rajonin e Ballkanit".

Edhe pse hetimet janë rihapur për këtë dosje në vitin 2015, provat nuk mund të përdoreshin më, pasi përgjimet ishin asgjësuar.

"Nga gjithë dosja e përgjigjeve kur është bërë pushimi në 2010, ka dalë një vendim ku është kërkuar të bëhet asgjësimi i transkipteve se çështja ishte pushuar, ky fakt ka bërë që kjo pjesë e transkipteve të asgjësohen. Kur është rihapur çështja në 2015, ato prova nuk ekzistonin më. Kur i kemi publikuar në 2016, na është thënë që është e vërtetë që ka ndodhur, përgjimi është i vërtetë, por nuk mund të përdoret më si provë, pasi përgjimet janë asgjësuar", - tha gazetari Artan Hoxha.

Gazetari Hoxha tha se edhe pas përfshirjes së një personi me imunitet, përgjimi ka vazhduar, por kjo çështje nuk shkoi në gjykim.

Objekti i hetimit të dosjes kanë qenë tranferta të mëdha në vlera 7-8 milionë dollarë, me dyshimin që po vinin nga Afrika në Shqipëri për tu pastruar, përmes Kastriot Ismailaj ish-administratori i DIA, që ndodhet në burg, i dënuar në lidhje me skandalin CEZ-DIA, në bashkëpunim me një shtetase amerikane, Rebeca Gaskin Gain.

Kastriol Ismailaj i kërkonte Shqipërisë 130 milionë euro, por dënimi i tij e shpëtoi Shqipërinë nga humbja në arbitrazh.

"Kur ishte në hetim dhe u arrestua ndaj tij në atë kohë ka pasur disa herë lajme të cilat referoheshin që politikanë të rëndësishëm, deputetë, edhe të Komisionit të Sigurisë, kishin hyrë në burg dhe e kishin takuar këtë person dhe i kanë kërkuar të mos flasë. Kur ka kuptuar që do dënohet ka kërkuar të flasë, por trupi gjykues nuk e ka lejuar më se kishte kaluar afati për të folur. Gruaja e tij e larguar nga Shqipëria për shkak të kërcënimeve me gjithë fëmijën, ka dhënë intervistë në Vjenë. Ka një dëshmi të drejtorit të administrativ të kompanisë DIA, Ervis Mata, që edhe ai u largua edhe pse ishte në mbrojtje nga RENEA, nuk dihet se ku është dhe në çfarë rrethanash iku. Ai ka bërë një lidhje tjetër, mes mesazheve që kemi kapur", tha Artan Hoxha.

Për hetimin e nisur për pastrim parash në vitin 2008, që u pushua në 2010 dhe më tej u hap sërish në 2015, Kastriot Ismailaj, është dënuar me 11 vjet burg. "Hetimi ka nisur për pastrim parash, kur nuk donin ata lart, çështja pushohej, kur donin, ky burri është në burg 11 vjet, dhe gruaja me fëmijët është jashtë Shqipërisë, i kanë bllokuar edhe pensionin e nënës së tij", u shpreh gazetari investigativ Artan Hoxha.