Me dy shishe ujë në Kuvend, Koçeku shpreh shqetësimin për ndotjen e Drinit: Marrëveshje ndërkufitare mes Shqipërisë e Kosovës, lumi s’bën politikë

30 Mars, 18:48 | Përditesimi: 30 Mars, 18:48

Deputetja e PS në Shkodër, Marjana Koçeku, u ngjit në podiumin e Kuvendit me dy shishe ujë. Në njërën gjendej ujë kristal, ndërsa në tjetrën, ngjyra e tij ishte e turbullt, e verdhë në kafe.

“Kam ardhur sot jo me raporte, as me statistika, por me dy shishe me ujë. Ky është uji i Drinit siç e mban mend gjyshi im, i gjallë, i ftohtë, i pastër, siç ka qenë dikur. Ndërsa ky, është uji i Drinit sot siç e shohin mijëra vizitorë dhe mysafirë që vijnë nga të tëra anët e botës për të parë Shqipërinë”, tha Koçeku.

Deputetja tha se sot janë mbi 30 bujtinarë që nuk kanë një përgjigje për turistët që pyesin se ç’po ndodh me Drinin. Turistët largohen më herët ose nuk rikthehen duke sjellë një dëm të madh ekonomik, tha Koçeku. Ajo shtoi se cilësia e lumit tashmë është e dobët dhe pavarësisht një përpjekjeje vullnetare për të larguar 30 ton plastikë, gjendja është drastike.

Koçeku u shpreh se për Drinin s’është fajtore as Shqipëria e as Kosova, por të dyja vendet duhet të nënshkruajnë një marrëveshje ndërkufitare për të zgjidhur problemin.

I.M/Shqiptarja.com