'Me Reja-n do flas pas dy ditësh', Duka për Report TV: Nuk ka ende kontratë të re

19 Nëntor 2019, 20:05

Të mërkurën e 20 nëntorit përfundon zyrtarisht kontrata e trajnerit Edy Reja me federatën shqiptare të futbollit, duke lënë kështu pa trajner skuadrën kuqezi, e cila eliminatoret e Europianit i mbylli në vendin e katërt.

Prej kohësh të dy palët, si Reja po ashtu edhe presidenti i FSHF-së, kanë shprehur gadishmërinë për të ronovuar, por sot mediat italiane dhe ekzaktësisht ‘Gazetta dello Sport’ plasi bombën duke deklaruar se italiani do ta mbyllë këtu aventurën me Shqipërinë.

Gjithashtu po sot në mediat shqiptare është përfolur për një kontratë 4-vjeçare të ofruar teknikut 74-vjeçar, por që sipas presidentit të FSHF-së nuk është e vërtetë. Në një prononcim të shkurtër për ‘Report TV’ Duka është shprehur: ‘Ende nuk ka asnjë marrëveshje të re me Reja-n. Do të ulemi pas dy ditësh për të diskutuar’.

Aktualisht Duka nuk ndodhet në Shqipëri, por as në Itali, pasi gjendet në Zvicër ku po ushtron detyrën e tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA.