Më shumë emra në listat e kandidatëve, Kaso: Askund nuk përcaktohet numri maksimal, vetëm minimali!

17 Mars 2021, 12:48 | Përditesimi i fundit: 2021-03-17 16:06:42

TIRANË- Sekretari për çështjet Zgjedhore i Partisë Demokratike, Ivi Kaso është shprehur se PD dhe Aleanca për Ndryshim nuk rrezikojnë të skualifikohen nga KQZ për faktin se kanë dërguar 69 emra më shumë nga minimumi që lejohet, 153. Në një intervistë për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku, Kaso u shpreh se listat e demokratëve janë krejtësisht korrekte dhe se në asnjë dispozitë të ligjit nuk përcaktohet një shifër maksimale, duke shpjeguar edhe më konkretisht të gjitha teknikalitetet.

"Ne nuk kemi zgjedhur të dërgojmë një shifër të caktuar, të gjithë emrat e kandidatëve  janë në konformitet me dispozitat ligjore që rregullojnë pjesën e paraqitje së ligjeve, neni 67 pika 4, numri minimal i kandidaturve jo më i vogël se numri i mandateve në zonën zgjedhore përkatëse shtuar 2, ky është kifiri minimal, ndërsa nuk ka një dispozitë për kufirin maksimal, por mjafton që të përpjesëtohet me 3. Kështu është interpretuar dhe zbatuar dispozita. Duke interpretuar në këtë këndvështrim, kemi arritur në konkluzionin se modalitetet si kemi paraqitur listën janë të kërkuara nga ligji, gjithë lista e koalicionit është në përputhje me të gjitha dispozitat e Kodit dhe të gjitha dispozitat e tjera ligjore0. Dje janë dërguar listat e plota janë plotësuar të gjitha", tha Kaso.