Prezenca e investitorëve të huaj në Shqipëri u rrit edhe më shumë gjatë vitit të kaluar. Janë 1 miliardë e 584 milionë euro investime të huaja direkte që u injektuan në ekonominë e vendit në 2024-ën. Në raport me vitin 2023, investimet e huaja u rritën me 92 milionë euro thotë Banka e Shqipërisë.
Sektori që po udhëheq investimet është ai i pasurive të paluajtshme, që gjatë vitit të shkuar ka rrëmbyer 379 milionë euro nga investitorët e huaj. Prej vitesh të huaj po investojnë në prona të patundshme në Shqipëri, kjo faktohet edhe nga vrojtimet që banka qendrore kryen mbi këtë treg, ku rezulton se rreth 1/3 e banesave të shitura blihen nga të huaj, kryesisht në zonat rreth qendrës së Tiranës dhe në bregdet.
Tregu i pronave ndiqet pas nga industri nxjerrëse me 214 milionë euro investime, industria përpunuese me 173 milionë euro dhe energjia elektrike që ka përfituar me 166 milionë euro.