Pavarësisht se Presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, shumica sot pasdite në Kuvend miratoi rezolutën që detyron institucionet që të mos e zbatojnë dhe vijon e vendosur fushatën elektorale. Kryeministri Edi Rama, pasditen e sotme ishte Prrenjas dhe Librazhd në miting. Nga Prrenjasi ai i kërkoi Ilir Metës që të lexonte rezolutën e miratuar dhe të reflektonte duke kërkuar ndjesë, ndërsa në Librazhd një grup militantësh të opozitës së drejtuar nga PD-ja tentuan ti bllokojnë rrugën.
Por Rama u shpreh se pengimi i fushatës zgjedhore përbën vepër penale që dënohet nga 1-5 vite burg. Protesta dhe tentativa për bllokim e militantëve të opozitës vjen dy ditë pas vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-së për ngritjen e strukturave të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar në 61 bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, që ka për synim bllokimin e fushatës së PS-së dhe zgjedhjeve të 30 Qershorit.