Meta pranon të 'udhëheqë' tryezën e dialogut! 'Shqetësim zgjedhjet pa opozitën, s'është vonë për reflektim'

30 Prill 2019, 15:12

Kërkesa e aleatëve të qendrës së djathtë të Lulzim Bashës për një tryezë dialogu me të gjitha forcat politike për zgjidhjen e krizës, nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Përreth një orë në zyrën e Presidentit Ilir Meta, aleatët pas takimit me dyer të mbyllura, sqaruan publikisht se kreu i shtetit e mirëpriti kërkesën e tyre për të qenë negociator për tryezën e dialogut me krerët e partive. Në emër të aleatëve, Fatmir Mediu i Partisë Republikane, tha në një prononcim për mediat pas takimit, se Presidenti ndan të njëjtin qëndrim me ta se situata është problematike dhe se duhen bërë përpjekje për të ndalur që vendi të shkojë në përplasje të panevojshme.

"Presidenti vlerësoi kërkesën e partive tona, në vlerësim të kërkesës tonë do të marrë qëndrimet e veta në diskutim edhe me palët e tjera. Presidenti është në të njëjtën valë shqetësimi si gjithë qytetarët shqiptarë, por ka edhe angazhimin që palët të gjejnë zgjidhje për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit", tha kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu. 

Sipas kryerepublikanit, Meta tashmë do të nisë diskutimet me palët e tjera politike, e referuar kësja pritet që Meta të thërrasë në takim edhe kryeministrin Edi Rama, si kryetar të Partisë Socialiste për të rënë dakord për tryezën e dialogut nën orgnaizimin e kreut të shtetit.

Opozita tashmë jo vetëm është jashtë Kuvendit me vendimin e djegies së mandateve, por po ashtu kanë bojkotuar edhe zgjedhjet administrative të 30 qershorit 2019.

Pas takimit zyra për shtyp e presidencës zbardhi takimin ku thuhet se "ka qenë Meta që më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit. Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend.

"Nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës", thuhet në njoftim

Duket se tashmë gjithçka pritet të jetë në vullnetin politik të palëve, ku nga njëra anë është mazhoranca e cila deklaron se zgjedhjet në 30 qershor do të zhvillohen normalisht, ndërsa opozita deklaron se nuk do të lejojë që të vazhdojnë zgjedhjet farsë.

Në takim me kreun e shtetit ishin; Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Nard Ndoka i PDK, Vangjel Dule i PBDNJ, Dashamir Shehi i LZHK dhe Agron Duka i PPA-së.

Pesë aleatët e qendrës së djathtë kërkuan ndërmjetësimin e Presidentit Ilir Meta, BE-së dhe OSBE-së, mes mazhorancës dhe opozitës për kapërcimin e krizës. Meta pranoi që të takonte aleatët e PD-së në kushtet kur opozita joparlamentare i humbi të gjitha mundësitë ligjore për t'u bërë pjesë e zgjedhjeve më 30 qershorit 2019 për kryebashkiakët e rinj të vendit.

Në mesin e krizës partitë e vogla po përdorin të njëjtin skenar për të dalë ashtu si dy vite më parë. Edhe në 17 maj të vitit 2017 pas çadrës së opozitës përpara Kryeministrisë ishin partitë e vogla ato që inicuan një tryezë me kreun e qeverisë që më pas u zhvendos në një takim 'kokë më kokë' Rama-Basha për të arritur marrëveshjen që PD dhe aleatët e saj të futeshin në zgjedhje. Por këtë radhë, Fatmir Mediu ka deklaruar se nuk duan më një takimë Rama-Basha, por një tryezë të gjerë me të gjitha forcat politike.

Por duket se edhe aktualisht ky skenar po rezulton i suksesshëm. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u tregua për herë të parë i hapur dje për t'u ulur në tryezë dialogu me kryeministrin Edi Rama, një thirrje e përsëritur e kreut të qeverisë, por që këtë radhë, lideri demokrat e artikuloi si dakordësi të plotë me aleatët e tij.

Dje aleatët e qendrës së djathtë parashtruan një platformë me 12 pika për të arritur një marrëveshje kushtetuese mes të cilave është edhe kërkesa për të caktuar një datë të re për zgjedhjet lokale, dhe ato parlamentare. Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme të cilat do të administrohen nga një qeveri teknike. Në këtë kuadër, ata propozuan që për 15 vite me radhë, çdo gjashtë muaj para zgjedhjeve, të krijohet një qeveri teknike.

    No videos found.