Meta pret Princin e Monakos, marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit reciprok

16 Tetor 2018, 15:01

Në vizitën e parë të një monarku të Principatës së Monakos në Shqipëri, Princi i Monakos, Albert i II zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, pas të cilit u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, me anë të së cilës palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.

Gjithashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert i II të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës dhe Shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore “Pisha Flamur”. Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert i II në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive.

“Vizita e Princit Albert i II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, – nënvizoi Presidenti Meta. Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret, në fushat ku eksperienca dhe ekspertiza e Monakos është shumë e njohur ndërkombëtarisht, si në turizëm e në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, inovacion e teknologjinë, në shërbimet financiare, trajnimin profesional e në fusha të tjera me interes.

Kreu i Shtetit kërkoi gjithashtu nxitjen e biznesit të Monakos që të eksplorojë dhe investojë në tregun shqiptar. Duke iu referuar përkatësisë mesdhetare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert II i Monakos nënvizuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së ambientit dhe të biodiversitetit.