Ilir Meta ka prezantuar modelin ekonomik që propozon Partia e Lirisë duke nisur nga rritja e pagave, ulja e barrave fiskale dhe sistemi fiskal për thithjen e investitorëve të huaj.
"Modeli ynë ekonomik mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, si e vetmja mënyrë për thithjen e investimeve te huaja, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë, tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë, tek zgjerimi dhe konsolidimi I shtresës së mesme të shoqërisë, si garante e një zhvillimi të qëndrueshëm, por edhe vetë mbrojtjes së demokracisë.
Ne do të miratojmë ligjin për indeksimin e pagave në raport me inflacionin dhe rritjen ekonomike, rritje e pagave që do të realizohet cdo vit. Në kushtet e krizës ekonomike aktuale ne propozojmë të ulim barrën fiskale për individët dhe bizneset, për të formalizuar ekonominë, për të ulur çmimet, për të stimuluar konsumin dhe prodhimin vendas. Një prioritet i rëndësishëm për ne, është rikthimi i shërbimeve publike më të domosdoshme pranë qyteteve dhe bashkive.
Partia e Lirisë mbështet fuqishëm garantimin e votës për Diasporës, por edhe do të hapim dyert për profesionistët e diasporës shqiptare kudo ku ndodhen, që të vijnë të investojnë në Shqipëri. Për Partinë e Lirisë, një prioritet imediat është krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në Shqipëri. Ne propozojmë një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, me potencialin për të thithur investitorë të huaj serioz dhe të fuqishëm. Familjeve të reja do ti sigurojmë strehim me kredi të buta, ndërkohë ne propozojmë rritje progresive të bonuseve për fëmijën e dytë dhe të tretë, si një politike për të nxitur lindshmërinë", tha Meta.