TIRANE-Presidenti i Republikës Ilir Meta ka refuzuar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit duke rrëzuar kërkesën për shkarkimin nga detyra të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, pasi e pezulloi duke e zëvendësuar me Bernard Dostin, që ishte zëvendës rektor. Ministrja Besa Sahini në datë 15 prill kur kërkoi shkarkimin e Konit, e argumentoi me faktin se vjen për shkak se nuk ka reaguar pas kërkesave të studentëve, për plotësimin e tyre. Por, kreu i shtetit e ka rrëzuar kërkesën, duke e rikthyer në detyrë, ndërsa në arsyetimin e tij thekson se problemi nuk është Mynyr Koni, por fakti ministria e Arsimit që nuk ka nxjerrë aktet nënligjore të ligjit për Arsimin e Lartë.
"Mosnxjerrja e akteve nënligjore në kohë ka krijuar terren që në institucionet e arsimit të lartë, pra edhe në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, të krijohen situata që prodhojnë konflikte midis strukturave akademike dhe administrative. Në këtë situatë të rrëmujshme rregulluese, çdo pretendim se përgjegjës për shkeljet e ligjit nr.80/2015 apo akteve nënligjore është vetëm Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk është aspak objektiv. Propozimi duket sikur kërkon ta faturojë gjithë përgjegjësinë për gjendjen e sistemit arsimor tek Rektori i Universitetit, gjë e cila nuk është e drejtë në situatën e krijuar" shkruan Meta.
Referuar kontrolleve nga ministria e Arsimit në Dhjetor dhe në Prill të këtij viti, rektori ka theksuar se "Sipas përmbajtjes së këtij relacioni të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, evidentohet se nga 14 rekomandime të lëna nga grupi i punës, autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës, kanë përmbushur dhe reflektuar vetëm 8 rekomandime. Ministri i Arsimit në këtë rast, në mënyrë të qëllimshme, ngatërron kompetencat e Rektorit me ato të Administratorit, duke ngarkuar me përgjegjësi Rektorin e UT-së. Ky rekomandim i është lënë për plotësim dhe është detyrë e Administratorit dhe jo e Rektorit".
Sipas Presidentit Meta, Rektori Koni, parashtron në ankesën e tij se "sulmet e vazhdueshme në media që nga muaji shkurt 2018 e në vazhdim, pa asnjë arsye dhe fakt, të Kryeministrit dhe tashmë të Ministres të Arsimit, nuk janë gjë tjetër, veçse përfundimi i një skenari të shkruar, ideuar, instrumentuar dhe drejtuar nga vetë qeveria".
Kreu i shtetit thekson se pasi u njoh me relacionet dhe pasi dëgjoi rektorin vlerëson se 'në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta, por dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, pasi ushtrimi i kompetencave kontrolluese nga Ministri i Arsimit në këtë rast për gjithë sa u parashtrua më sipër nuk është kryer në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente'.
Pezullimi i Konit nga ministrja Besa Shahini erdhi pas paralajmërimit nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë në fillim të muajit Prill se rektori nuk ka mbajtur përgjegjësitë që i takojnë në raport me problemet e studentëve. Rama tha se pas protestës së studentëve cdo gjë ka lëvizur përveç xhaketës së rektorit. Por Meta rrëzoi kërkesën për shkarkimin e tij, ndërsa tashmë pritet se cili do të jetë qëndrimi i ministrisë dhe qeverisë. Rrëzimi i kërkesës për shkarkimin e Konit është vendimi i disatë i Presidentit kundër qeverisë, pasi më parë ka rrëzuar vettingun në policinë e shtetit, ligjin për Teatrin, Tatimin për të Ardhurat, Noterinë dhe Kadastrën.