Meta sjell në anglisht videon e dytë 'në mbrojtje' të Kushtetutës: Dvorani ZERO kompetencë në vendimmarrje

20 Dhjetor 2019, 19:16

TIRANE- Presidenti Ilir Meta ka publikuar sot në anglisht spotin e dytë me akuzat ndaj kreut të Këshilit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvroani.

Në spotin e dytë të publikuar në faqen zyrtare të kreut të shtetit, janë thuajse të njëjtat akuza që janë bërë deri tani. Ilir Meta akuzon Dvoranin për lojë në shërbim të partisë.

Të dashur qytetarë, në vijim të spotit të parë, sot autorizova publikimin e spotit të dytë zyrtar në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese. Disa nga pyetjet që lidhen me spotin e parë, marrin një sqarim shterues përmes këtij spoti të dytë që po ndaj me ju" thotë Meta.

"Kryetari i KED-së zero kompetencë në Kushtetutë. Kryetari i KED-së në raport me vendimmarrjen është vetëm një anëtar dhe ka vetëm një votë. Edhe për botimin e vendimeve shprehet KED. Ai është vetëm një përcjellës i vendimeve. Detyra më e rëndësishme është publikimi i procesverbaleve në faqen e gjykatës së lartë, por edhe këtë nuk e ka bërë për 32 mbledhje radhazi. KED i ka renditur vakancat sipas radhës Kushtetuese, por vendimi i Dvoranit për t'i nisur dy vakanca njëherësh Presidentit dhe dy Kuvendit 6 ditë më pas është lojë e tij.

Ja pse publikimi i atij prej Arta Vorpsit është dhunim i Kushtetutës dhe akt mashtrues. Zero mbledhje dhe vendim i KED për publikimin në fletoren zyrtare dhe për të vlerësuar mekanizimin vlerësues. Dvorani shkel ligjin dhe i rrëmben kompetencat Presidentit? Sepse ai ndjek rrugën e partisë dhe jo të Kushtetutës. Partia e mbajti 6 vite në detyrë përtej mandatit Kushtetues. Mjaft me sundimin e partisë. Kushtetuta është ligji më i lartë. Këtë e kanë vendosur shqiptarët me referendum", thuhet në mesazhin e Metës.

Ndonëse kishte paralajmëruar 'video përvëluese' që provojnë shkeljet e kushtetutës, Meta ka risjellë përmes dy videove të gjithë akuzat e bërë publikisht gjatë deklaratave politike.

Ilir Meta e kallëzoi penalisht Dvoranin në Gjykatën e Tiranës për shpërdorim detyre dhe përvetësim të kompetencave, të dy u morën në pyetje pak ditë më parë.