Meta thirrje për tubim, Spiropali për Report Tv: Ka dalë nga funksioni, luftë me frikën e tij

25 Nëntor 2019, 16:41

TIRANE-Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali ka reaguar pas thirrjes së presidentit Meta për tubim mbarëpopullor. E pyetur nga Report Tv, Spiropali akuzoi presidentin Meta se ka dalë nga funksioni i tij, duke shtuar se tashmë i mbetet Komisionit të Posaçëm hetimor të shqyrtojë shkeljet e tij. Sipas Spiropalit Meta e ka luftën me frikën e tij.

Presidenti i Republikës dukshëm ka dalë nga funksioni i tij dhe deklaratat e tij në raport me mazhorancën dhe miqtë tanë ndërkombëtarë janë jashtë cdo norme etike dhe institucionale. Ne nuk kemi cfarë themi për presidentin e Republikës për sa kohë Meta është në atë funksion. Ne kemi një komision hetimor që do shqyrtojë të gjitha shkeljet e presidentit përfshirë dhe atë me Gjykatën Kushtetuese. Ilir Meta e ka luftën me frikën e tij”, u shpreh ministrja për marrëdhëniet me parlamentin.

Ndërkohë Presidenti Ilir Meta kërkon të risjellë në 8 dhjetor 2019 tubimin mbarëpopullor, të ashtuquajturën "Lëvizja e Dhjetorit 1990" në Shqipëri që solli pluralizmin politik. Edhe ditën e sotme presidenti u drejtoi një thirrje qytetarëve shqiptarë që ti bashkohen këtij tubimi në qytet student në datën 8 dhjetor.