Ministri grek, Dendias takim me Bashën, kryedemokrati në një mendim me kryeministrin: Zgjidhja e çështjes së detit përmes Gjykatës Ndërkombëtare

20 Tetor 2020, 18:17

Pas kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias takoi dhe kryedemokratin Basha.

Gjatë takimit, kreu i PD-së ka shprehur qëndrimin për zgjidhjen e çështjes së detit përmes Gjykatës Ndërkombëtare si dhe domosdoshmërinë për anulimin e ligjit të luftës.

Sot pata kënaqësinë të takohem me ministrin e jashtëm të Greqisë Nikos Dendias. Gjatë bisedës, nënvizuam domosdoshmërinë që në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok të zgjidhim çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat përfshirë edhe lehtësirst për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi. Riktheksova qëndrimin e shprehur prej 10 vitesh se zgjidhja për çështjen e detit duhet të vijë përmes Gjykatës Ndërkombëtare dhe i përsërita ministrit Dendias domosdoshmërinë për anullimin e ligjit të luftës. Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare e falenderova atë për mbështetjen e çmuar që Greqia po i jep vendit tonë në procesin historik të integrimit europian" - shkruan në Twitter.

Çështja për kufirin detar mes dy vendeve do të jetë në dorë të Gjykatës së Hagës. Ky është vendimi i marrë gjatë takimit të Nikos Dendias me kryeministrin Rama.

“Kemi rënë dakord që çështjen e detit ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohet drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit. Më vjen keq për patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera, pasi çështja e detit nuk është për të bërë më propagandën e tyre anti-greke dhe as propagandë në Shqipëri dhe Kosovë. Të vetëvendosën në çështje të tjera”, u shpreh Rama.