Minoritari grek në Sarandë poston videon duke djegur flamurin kuqezi, provokon: Ku janë shqiptarët?

16 Qershor 2020, 14:03

TIRANE-Një minoritar grek nga Finiqi, Manolis Vitos ka publikuar në faqen e tij në rrjetet sociale një video të momentit kur djeg një flamur shqiptar.

Anti-terrori ka bërë verifikimet nga ku ka rezultuar se videoja është bërë një vit më parë, ndërsa është hedhur në rrjetet sociale ditën e djeshme.

Por cfarë thotë minoritari grek? Videon e djegies së flamurit ai e shoqëron me të tjera provokime të forta. "Këtë flamur e mora nga zyrat e OMONIA-s sepse nuk meriton që të qëndrojë atje dhe po e djeg.

Këtu jemi në Sarandë, jemi në Vorio Epir dhe kam gjetur këtë leckë dhe shikoni sesi po digjet, ku janë patriotët dhe nacionalistët shqiptarë?" thotë ai.

Provokimi i rëndë i minoritarit grek vjen pak ditë pasi Lëvizja patriotike "Djemtë e Labërisë" dogjën flamurin e Vorio-Epirit në varrezat e Këlcyrës, ku prehen eshtrat e 21 ushtarëve grekë të vrarë në  luftës Italo- Greke.