Misteret e konfliktit me vrasje në ish-Bllok / Pjesa e parë

8 Tetor 2018, 08:15

Vrasja mbrëmë në Bllok tronditi Tiranën, ndërsa njëri nga të përfshirët është arrestuar dhe tre persona të tjerë janë në kërkim; Ervin Mata, Fabjol Alushi dhe autori i ekzekutimit, komandoja Merviol Bilo, bodygard i Elvana Gjatës. Policia ka arrestuar dy nga tre të plagosurit, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, ndërsa viktima është Fabjol Gaxha.

Por a rrezikon që ngjarja mbrëmë në Bllok të pasohet me luftë grupesh? Për të diskutuar për këtë cështje, të ftuar në emisionin ‘REPOLITIX’ mbrëmjen e sotme në Report Tv ishin; avokati i Ervis Martinajt, Mirash Martini, Mit’hat Havari, ish-drejtues policie dhe gazetarët Elton Qyno i Shqiptraja.com dhe Poli Hoxha.

Avokati i Ervis Martinajt, Mirash Martini u shpreh në REPOLITIX se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen, ndërsa sqaron se ai është futur për të shuar sherrin që kishte nisur mes komandos dhe Fabjol Gaxhajt. Sipas avokatit, Martinaj ishte duke pirë një gotë verë në banak me pronarin e lokalit Monopol, Popescu kur ka nisur sherri. Ai tha se Martinaj ka njohje me Ervin Matën, ndërsa nuk ka pasur armë me vete.