Misteri/ Ku përfundojnë mbetjet e rrezikshme që prodhon Shqipëria? Ekspertët: Vajrat industrialë derdhen në kanale

23 Shkurt 2020, 15:24

TIRANE- Goditja e një grupi, i cili trafikonte mbetje të dyshuara si të rrezikshme dhe lëndë kancerogjene amiant nga Italia, për t'i groposur në Vlorë, përmes një pike grumbullimi, të kamufluara si produkte kimike pastrimi, ka ndritur një pikëpyetje të madhe se ku përfundojnë mbetjet toksike që prodhon vetë Shqipëria. Ligjet shqiptare ndalojnë kategorikisht dhe kanë kriminalizuar importimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri, por mister mbetet se ku përfundojnë mbetjet toksike që prodhojmë ne vetë, në kushtet kur në Shqipëri nuk ka lendfille të atilla për menaxhimin e tyre. Mes mbetjeve të rrezikshme që prodhon Shqipëria përfshihen edhe mbetjet spitalore, mbetjet vajore dhe amianti, një fibër natyrale që është përdorur masivisht për ndërtime në vitet '60, por shumë rrezikshëm për shëndetin, pasi sipas të dhënave shkencore amianti është ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kancerogjene. Amianti është ndaluar rreptësisht, por Shqipëria ka një trashëgimi me tonelata materiale me amiant. 

Për menaxhimin e mbetjeve Shqipëria ka një legjislacion të gjerë, por nuk e adreson problemin në pikën fundore. Ligji bazë është ai i vitit 2011, i cili synon parandalimin e mbetjeve, riciklimin dhe asgjësimin e tyre, për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, duke mos vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën, tokën bujqësore, bimët dhe kafshët. Janë 35 ligje, vendime dhe udhëzime për çështjen e mbetjeve. Një vendim konsiston vetëm në grumbullimin dhe trajtimin e vajrave të përdorura. I gjithë legjislacioni synon grumbullimin e sigurt, riciklimin si dhe asgjësimin përmes operacioneve të sigurta të mbetjeve që nuk rikuperohen. Vendimet e tjera parashikojnë rregulla të hollësishme për ambalazhimin e mbetjeve të rrezikshme, transportimin, trajtimin, kostot, strategji, plane kombëtare dhe rajonale etj.