Pezullohet transporti i mbetjeve në Shqipëri! Të arrestuarit në Vlorë: S’ka pesticide, fuçitë me vaj motori...Analizat tek Fizika Bërthamore

TIRANE - Një ditë pa zbulimit të një rrjeti që dyshohet se kontrabandonin në Shqipëri lëndë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin me qëllim për t'i depozituar në vendin tonë, ndoshta për t'i groposur, gjashtë të arrestuar në Vlorë, mohojnë të kenë lidhje me trafikun e mbetjeve toksike të rrezikshme. Me bllokimin brenda tragetit të ardhur nga Brindizi në portin e Vlorës, të një sasie të konsiderueshme lëndësh të rrezikshme, mes të cilave sipas policisë, edhe amianti kancerogjen që përdoret për ndërtime, janë marrë mostra të materialeve për t'u analizuar në Institutin e Fizikës Bërthamore. Në hetim janë përfshirë edhe inspektorë të Ministrisë së Mjedisit të cilët sqaruan në një reagim për Report Tv, se është marrë vendim për pezullimin e transportit të mbetjeve brenda Shqipërisë, ndërsa pas analizave, sasia e sekuestruar do të kthehet në vendin e origjinës, në Itali. Pikërisht firma e pastrimit "Delfini1, administratorja e të cilës ra në pranga, dyshohet se kamuflonte si produkte kimike pastrimi mbetje tokskike për t'u groposur në një pikë grumbullimi në Vlorë.

Por çfarë gjeti policia në hambarin e tragetit, tashmë i sekuestruar dhe i bllokuar në portin e Vlorës derisa t'i nevojitet hetimeve?

Gjatë kontrollit të hambarit të tragetit, policia e Vlorës ka gjetur 40 metër kub, i cili është lesh xhami, material që shërben për izolimin e pjesëve të brendshme të anijeve, në mënyrë që uji të mos depërtojë në brendësi të mjetit lundrues. Policia dyshon se pikërisht ky material përmban lëndën e Amiantit, material kancerogjen që mendohet se groposej në Vlorë.

Policia gjeti gjithashtu mbi 10 fuçi me mbishkrimin “Eni”, që dyshohet të jenë të një kompanie italiane nafte në Itali. Por këto fuçi dyshohet të jenë përdorur si kamuflim për transportimin e lëndëve të rrezikshme. Vetë të arrestuarit, deklarojnë se brenda fuçive kishte vaj për motorët e tragetit.  Do jetë ekspertiza laboratorike që do qartësojë situatën se çfarë materiali përmbajnë këto sende. Por ajo që ka vërtetuar prokuroria dhe policia e Vlorës, të cilat tashmë po udhëheqin këtë hetim është fakti se për fuçitë nuk ka asnjë dokument shoqërues nga Italia, mungojnë faturat e blerjes dhe dokumentacioni ligjor i autoriteteve doganore në Brindizi.

Sipas të arrestuarve leshi i xhamit kishte mbetur në hambarin e tragetit, pas një rikonstruksioni total që i është bërë anijes.

“Para pak kohësh kemi kryer remontin e plotë të anijes dhe për këtë kemi hequr dhe materialin lesh xhami, që anija e ka për izolimin e ujit. Punëtorët kanë hequr materialin e vjetër duke e zëvendësuar me lesh xhami të ri. Materialin e vjetër e kemi grumbulluar në hambarin e anijes, pasi s'kemi pasur mundësi ku ta hidhnim”, ka treguar kapiteni i anijes. Ndërkohë, burime nga prokuroria thanë për Report Tv se nga verifikimet e kryera, nuk është bërë asnjë remont apo servis në traget.

Në pranga ranë Zamir Kornuzi, 46 vjeç, pronari i pikës së grumbullimit në Vlorë ku dyshohet se groposej lënda e rrezikshme, Festim Tafa, 72-vjeçar, kapiteni i tragetit “S.T. Damian”, zv/kapiteni Kujtim Xhaferllari 65 vjeç banues në Vlorë, drejtori i një agjencie tragetesh A.B 48 vjeç dhe shoferi i furgonit ku është gjetur një pjesë e vogël lesh xhami, Arbër Çuni 28 vjeç. Në pranga ka rënë dhe administratorja e kompanisë “Delfini 1” Elisabeta Çuni, e cila dyshohet se i ka sjellë në Shqipëri kamufluar me dokumentacion si të  ishin produkte kimike pastrimi. Pas kësaj ngjarje, burime nga organi i akuzës thanë se do të vihen në filtrin e prokurorisë të gjitha firmat e pastrimit në portin e Vlorës si dhe të gjitha tragetet dhe skafet që ankorohen në terminal.

Ndërkohë, në një intervistë për gazetarin e  Report Tv Arsen Rusta nga pika e grumbullimit në lagjen "24 maji" në Vlorë, bashkëshortja e Kormuzit tha se në biznesin e tyre nuk është groposur asnjë lëndë e rrezikshme.

Ditën e hënë pritet që të arrestuarit e kësaj çështje të dalin para gjykatës së Vlorës, për t'u njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë së Vlorës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:55
Trageti me mbetje toksike/ Klosi: Informacioni na erdhi nga qytetarët! Po hetohet nëse ka pasur edhe raste të tjera kriminale (VIDEO)

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka reaguar lidhur me operacionin e kryer ditën e djeshme në qytetin e Vlorës ku u kap një sasi me mbetje toksike.

"Operacioni i djeshëm i organizuar në mënyre të strukturuar nga Ministria e Rendit dhe Ministria e Mjedisit së bashku me autoritet lokale në Vlorë ishte një aksion i cili shënon një nga pikat kulmore në kuadër të gjithë përpjekjeve që bëjmë ne për të vazhduar në mënyrë të fortë moratoriumin e mbetjeve të rrezikshme në vendin tonë, ishte një operacion i cili u planifikua qartësisht dhe shënoi sukses sepse gjithë strukturat përfshirë gjerësisht strukturat e mjedisit, kryen atë operacion duke verifikuar tashmë sesa i thellë është ky problem. Është një ngjarje e ditës së parë apo ka raste të tjera për të cilat do të hetohet dhe hetimi do të shkoje thellësisht në gjithë aktivitetin për mua shumë kriminal që ka zhvilluar ajo kompani, megjithatë do ia lëmë hetimit fjalën e fundit dhe laboratorëve shkencore që të vertetojnë përbërjen e atij materiali dhe rrezikshmërinë që ai ofron për njerëzit, por ndihem mirë që patëm një kombinim të jashtëzakonshëm me policinë e shtetit dhe në kuadër të reformimit të institucioneve që kontrollojnë mjedisin në Shqipëri pasi mbrojtja e mjedisit është bërë detyrë e gjithë shoqërisë dhe njerëzit kanë shumë në dorë. Informacioni erdhi nga qytetarë dhe u veprua nga institucione shtetërore.

Do doja shumë që kushdo qytetar që verifikon një shkelje të trajtimit të mbetjeve urbane të asaj çfarë tashmë është dhe një vepër penale një krim mjedisor të informojnë strukturat e rendit strukturat mjedisore dhe strukturat që  kanë të bëjnë me platformat e bashkëqeverisjes që është komunikimi i drejtpërdrejt me qytetarët.

Qartazi po ju bëj thirrje që në kuadër të Reformës të institucioneve mjedisore duke berë një reformë të thellë të institucioneve që ndjekin problematikat e mjedisit dhe kalimin e inspektimit në terren, pra agjencisë kombëtare të ruajtjes së territorit, një vepër e madhe që duhet të shkojë në gjithë kuadër të luftës kundër krimit mjedisor po ashtu miratimin në parlamentin shqiptar, vetëm në ndryshimet e fundit që i bëmë kodit penal të futjes së krimit mjedisor si një vepër penale e ka berë që gjithë ky kuadër, të jetë një kuadër i plotë ligjor dhe administrativ për të luftuar për një Shqipëri të pastër, por sado të përpiqen institucionet shtetërore do të jetë lufte e mangët nëse s'ka bashkëpunim me qytetarët", tha Klosi.

Ora 13:05
Në filtër të gjitha kompanitë e pastrimit, tragetet e skafet! Mostrat e dyshuara të rrezikshme analizë në Fizikën Bërthamore

Vihen në filtrin e prokurorisë të gjitha firmat e pastrimit në portin e Vlorës si dhe të gjitha tragetet dhe skafet që ankorohen në terminal, bëjnë të ditur burime nga organi i akuzës për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta. Mostrat e materialeve që u sekuestruan brenda tragetit të ardhur nga Brindisi në portin e Vlorës, do të analizohen në Institutin e Fizikës Bërthamore. Ndërkohë, nga sa mësohet nga dëshmia e të arrestuarve, fuçitë kanë pasur vaj për motorin e tragetit, dhe se ata nuk kanë asnjë dijeni për "mbetjet e rrezikshme" që sipas tyre mund të jenë futur fshehurazi tyre në traget. Hetimet për rastin e kontrabandës së mallarave të rrezikshme, kanë nisur prej 10 ditësh pas një plani masash për kontrollet e territorit, ku të përfshirë në hetim kanë qenë edhe inspektorë të mjedisit.

Operacioni për sekuestrimin e djeshëm dhe arrestimin e 6 personave ka nisur që dje në 5 mëngjes pas një informacioni të marrë në rrugë operative se në tragetin e nisur nga Brindizi me pasagjerë për në Vlorë kishte mbetje të rrezikshme.

Trageti dhe të gjitha lëndët e rrezikshme sipas policisë, mes të cilave edhe amiant, do të qëndrojnë nën sekuestro derisa të jetë e nevojshme për hetimet. 

Ora 11:59
Tragetit nuk iu bë servis! Ku janë përqendruar hetimet! 'Asnjë produkt nuk kishte dokumentacion nga Italia'

Pavarësisht dëshmisë që kanë dhënë të arrestuarit në Vlorë se në tragetin që vinte nga Brindisi nuk kishte asnjë mbetje të rrezikshme për shëndetin dhe se ata kishin përdorur materiale për rikonstruksionin e tragetit, prokuroria nga verifikimet e kryera, mësohet të ketë dalë në rezultatin që nuk është bërë asnjë remont apo servis në traget. Burime për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, thanë se dyshimet e hetuesve janë që mbetjet të jenë të një trageti tjetër të kompanisë që i kanë sjellë në Shqipëri. Por ka edhe dyshime të forta se e gjitha mund të jetë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë vazhdimisht rrugë të tilla, duke marrë lëndë të rrezikshme nga Italia, për t'i depozituar në vendin tonë. Mbetjet dhe materialet që ishin në traget, veçanërisht lënda në mbi 10 fuçi që të arrestuarit thonë se është vaj për motorët e tragetit, nuk kanë asnjë dokumentacion shoqërues nga autoritetet italiane. Fuçitë mbajnë mbishkrimin "eni" të një kompanie nafte dhe gazi me bazë në Romë, por gjithçka sipas hetuesve, dyshohet të ketë ardhur e kamufluar. Për këtë, rolin kryesor dyshohet ta ketë kompania e pastrimit "Delfini 1", administratorja e të cilës ka rënë në pranga. Dyshohet që këto lëndë të vinin në Shqipëri të kamufluara si produkte pastrimi kimike, pra me letra dhe dokumentacione të kësaj kompanie, çka plotëson edhe faktin se përse mungojnë dokumentet shoqëruese të mallit të pretenduar vaj për motorin e tragetit.

Ora 08:33
Trafiku i mbetjeve kancerogjene! Pamje të tjera nga fuçitë dhe amianti! Tre drejtorë dhe prefekti në portin e Vlorës (VIDEO)

VLORE-Një ditë pas operacionit ku u zbulua dhe u godit rrjeti i trafikut të mbetjeve toksike dhe lëndës kancerogjene amiant, mëngjesin e sotëm në portin e qytetit bregdetar shkuan për inspektim prefekti Flamur Mamaj, drejtori i doganës, i portit dhe i policisë. Prefekti u shpreh se çështja është në duart e prokurorisë dhe se nuk ka informacion mbi lëndën që është futur.

"Unë thjeshtë kam ardhur për të bërë një inspektim dhe verifikim të kushteve të sigurisë të marra nga drejtoria e qarkut dhe kufirit. Përtej asaj që kam parë, çështja është në duart e prokurorisë dhe priten përfundimi i hetimeve për të gjitha problematikat dhe mbi fatin e të arrestuarve për këtë çështje. Deri tani nuk kam asnjë lloj informacioni mbi lëndën, është çështje hetimi, me të përfunduar duhet të ketë edhe një raport që do të konstatojë të gjitha mbetjet se çfarë janë" tha Flamur Mamaj.

VIDEO/ Prefekti i Vlores 

1582270888_1582269585portvlore001.jpg

Inspektimi ne portin e Vlores
/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • cobani: 21/02/2020 20:43

    Ka 3 vjet qe behet ajo pune aty po tani u prishen pazaret me leket dhe u pordh muabeti

    Përgjigju
  • Lala: 21/02/2020 19:01

    O Zot!

    Përgjigju
  • Papi: 21/02/2020 18:02

    Kur bete remont zotrote mendon se bete nje kasolle lope? Remontin e bejne ndermarrjet perkatese qe marrin persiper dhe mbetjet qe prodhon remonti pra kush e beri remontin ne cilin port u be

    Përgjigju
  • Miti: 21/02/2020 16:46

    Keto jane « mbetjet e gjelberta » te Edi Rames, per te cilat çirrej me arrogance ne FB kur miratuan ligjin?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg