Moti i keq përfshin vendin/ Llogaraja hapet pas 5 orësh! Era rrëzon shtyllat elektrike e pemë, mbeten pa energji disa fshatra në Vlorë, Gjirokastër e Elbasan

12 Nëntor 2019, 18:12

I gjithë vendi ynë është 'pushtuar' nga moti i keq ditën e sotme, ku nuk kanë munguar stuhitë e shiut e era e fortë. Moti i keq ka shkaktuar problem të konsiderueshme në Vlorë, ku si pasojë janë dëmtuar disa shtylla elektrike duke nxjerrë jashtë përdorimit fidrin në Radhimë. Si pasojë e këtij dëmi kanë mbetur pa energji elektrike zonat Dukat, Tragjas e Llogara. Po ashtu për shkak të stuhisë me shi dhe erë të fortë aksi rrugor në Llogara ishte pakalueshëm për 5 orë si pasojë e rrëzimit të pemëve mbi rrugë. 

Ndërkohë si pasojë e motit të keq, ka patur probleme në portin e Vlorës, ku raportohet se janë krijuar dallgë deri në dy metra. Si pasojë Kapiteneria e Vlorës ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve të gjitha mjeteve të peshkimit. Edhe në Sarandë janë pezulluar lundrime për shkak se në det janë krijuar dallgë që shkojnë deri në 6 ballë. Probleme janë shfaqur në Durrës ku janë, porti ka ndërprerë punën.

Probleme me energjinë elektrike ka si pasojë e këputjes së përcjellësve të rrymës ka patur edhe në qarkun e Gjirokastrës ku kanë mbetur 23 fshatra pa energji. Po ashtu në Elbasan 22 fshatra janë pa drita për shkak të defekteve të shkaktuara nga era.