'Na thau zemrën'! Vëllai i kuksianit që u vetëvar: Ishte me kartelë, e futën në qeli për 15 mijë lekë të vjetra, gruaja shkoi ta takonte kur i dhanë lajmin

22 Shkurt 2020, 15:30

Report Tv zbardh dinamikën nga momenti i arrestimit të Bilbil Hasanit, i cili u vetëflijua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në paraburgimin e “313-ës”. Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me akuzën e vjedhjes, gjë që u pranua edhe nga gjykata në dhjetor të vitit të kaluar. Gjyqtari që ka vendosur “arrest me burg” ka qenë Ardian Kalia edhe pse sipas familjarëve Hasani ishte me kartelë mjekësore prej 18 vitesh. Ndërkohë, pas zhvillimit të seancës paraprake është vendosur kalimi i çështjes për gjykim.

Por çfarë vodhi Hasani? Më datë 09 dhjetor 2019 Bilbil Hasani është arrestuar për veprën penale të vjedhjes. Në orën 10:00 të datës 08 dhjetor, 43-vjeçari është kapur në flagrancë nga Policia e Patrullës së Përgjithshme, pasi Arjan Deda e ka kallëzuar Hasanin se i kishte vjedhur portofolin teksa ishin në autobusin e linjës së Stacionit të Trenit.