Nafta minus 10 $/fuçi në botë, në Shqipëri s’lëviz çmimi...Vëzhgimi i Report Tv

21 Prill 2020, 14:51

TIRANË- Vijon situata absurde në tregjet botërore, e nisur ditën e hënë, kur nafta bruto po shitet me çmime poshtë zeros. Aktualisht, në bursa një fuçi naftë referencë e Teksasit tregtohet me afro minus 8 dollarë, ndërkohë që dje arriti edhe në 40 dollarë. Kjo do të thotë që një anije, e cila blen 20.000 fuçi naftë, në vend që të paguajë, do të paguhet nga shitësi me 140.000 dollarë.

Situata e krijuar ka të bëjë direkt me pasojat në ekonominë botërore që shkaktoi dhe do të shkaktojë sërish pandemia e koronavirusit. Kompanitë më të mëdha të shitjeve të karburanteve kanë deklaruar se kapacitetet e tyre janë ezauruar, duke qenë se prodhimi i naftës vazhdon, po konsumi ka rënë në mënyrë drastike. Transportet janë sektorët më të penalizuara për shkak të bllokimit të lëvizjes së njerëzve.

Kështu, ata tani paguajnë të tjerët që ta largojnë sasinë e stokuar të naftës, që të lirojnë depozitat. Ende nuk dihet se sa do të vijojë kjo situatë, por për sasitë e prenotuara për muajin qershor, çmimi sërish është pozitiv, rreth 20-25 dollarë për fuçi.

Ndërkohë, nuk ka ndryshuar dje dhe sot çmimi i naftës dhe produkteve të saj me pakicë në Shqipëri. Nga një vëzhgim i kryer prej Report TV, del se diezeli shitet kryesisht me 158 lekë, aq sa edhe një javë më parë. Ndërkohë, vetëm larg qyteteve mund të gjendet edhe me 140-145 lekë për litër. Kjo situatë ka të bëjë me disa faktorë, i pari nga të cilët është ai që kompanitë e shumicës janë të detyruara të mbajnë shumë rezerva, që aktualisht konsumohen me vështirësi. Ato janë blerë më çmime më të larta se aktualet. Dhe, në fakt, çmimi i pakicës ka pësuar ulje, kur deri pak kohë më parë ishte 178 lekë për litër.