'Ndalohen tubimet politike'/ Mediu: Vendimi i ekspertëve anti-kushtetues, i shërben Ramës!

30 Nëntor 2020, 13:35

TIRANË- Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 veta do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, kur ajo të jetë funksionale. Ky hap është paralajmëruar nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu në një intervistë për Report Tv, për gazetaren Danjela Maloku. Ai tha se një vendim i tillë është bërë për t'i shërbyer kryeministrit Edi Rama dhe si shembull për këtë qëndrim ai solli mbajtjen e seancave plenare që vijojnë të zhvillohen.

"Vendimi i ekspertëve është antikushtetuese. Është jo proporcional, ndalon aktivitete politike, i jep mundësi vetëm qeverisë, ua mohon opozitës. Po punojmë ta çuar në Gjykatë Kushtetuese. Parlamenti vazhdon aktivitetin, ndërsa partitë politike kjo. Kjo bëhet me qëllim manipulimin e zgjedhjeve nuk mund të ketë fushatë elektorale online, raporti është një raport i marrëdhënieve të drejtpërdrejta, ato duhet të dinë kush janë kandidatët, qëndrimet politike dhe të vlerësojnë, përndryshe do të vazhdojmë drejt një procesi të manipulimit pa nisur ende zyrtarisht fushata", tha Mediu.

Në ndryshim nga PD-ja që ka parashikuar që fushatën zgjedhore ta alternojë mes mënyrës tradicionale dhe asaj online, Mediu është krejtësisht kundër. Në këndvështrimin e tij, nuk mund të bëhet kurrsesi fushatë online.

"Fushata virtuale nuk është reale, e sjell politikën në një raport të pranueshme me qytetarin, opozita të kuptojë problemet e kësaj vendimmarrje. Nëse do kemi masa të përkohshme, duhet të shikojmë si t'i respektojmë se COVID po krijon probleme të mëdha, por është e rëndësishme që të funksionojë politika. Çdo bëjmë  në këtë situatë, do pranojmë një regjim të korruptuar, prandaj mendoj që procesi zgjedhor duhet t'i vendosë palët në kushte të barabarta", tha Mediu.