Ndaloi furgonin e djalit të rivalit që po fuste pako, kandidati i koalicionit Berisha-Meta: Mund të kenë lekë, të tregojnë çfarë ka brenda

18 Prill 2023, 10:32 | Përditesimi i fundit: 2023-04-18 11:59:01

Kandidati i koalicionit, Berisha-Meta për bashkinë Has, Miftar Dauti ka treguar momentin kur ndaluar furgonin e dy djemve të kandidatit të PS, Halit Mulaj duke thënë se po fusnin pako kartoni, brenda të cilave nuk e di se çfarë ka.

Dauti u shpreh se mund të jetë manipulim për të blerë votat ndaj gjithçka kërkojnë është të hapen pakot për të vërtetuar cfarë kanë futur brenda.

“Ky është automjet i bllokuar. Aty ka pako të dyshimta. Është automjeti i djalit të kandidatit për kryetar bashkie të PS, djalit të Halit Mulës. Isha duke kaluar rrugës, e pashë te shkolla. 2 djemtë e tij po e mbushnin me pako. Janë pako kartoni, se çfarë ka në to nuk e di, mund të ketë edhe lekë që po shpërndajnë për blerje votash. Gjoja japin ndihma, oriz e makarona. Është manipulim, po tentojnë në çdo lloj forme të blejnë votat. Ne do i mbrojmë votat e votuesve hasjanë. Në momentin që e kam konstatuar mjetin, kam shkuar e kam bërë videon. Ajo është e qartë, janë 2 djemtë e kryetarit të Bashkisë, po e mbushnin me pako, njoftova shefin e komisariatit. I kërkova të ndalojë mjetin. Ne me njerëzit tonë nuk e lejuam mjetin të largohet. Kështu që i kërkojmë policisë të thirrë personin të vijë të hapë furgonin e të shohim pakot çfarë materialesh kanë. Erdhi policia, donin të merrnin furgonin e ta çonin në polici, nuk e kemi lejuar”, tha Dauti.