Ndryshon ligji/ Sigurimi për automjetet të caktohet në bazë të shkeljeve që kanë bërë drejtuesit!

17 Shkurt 2021, 20:51

Sistemi bonus malus që parashikon sigurimin e makinave në bazë të performancës në rrugë të drejtuesit të mjetit, ka sjellë debate në Komisionin e Veprimtarisë prodhuese pasi është kërkuar nga deputeti socialist Ilir Beqaj, aplikimi i kësaj metode të mos u lihet në dorë kompanive të sigurimit, siç parashikohet në draft.

“Si fillim e kemi përcaktuar vetëm për autoveturat pasi kemi një numër të madh të rreziqet të siguruara që e lejojnë aplikimin e mundshëm të sistemit bonus-malus, pra për kategoritë B1 dhe B2. I lihet në dorë kompanive nuk është i detyrueshëm si në shtetet e marra referencë, si Italia”, u shprehën përfaqësuesit e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

“Si e mbroni konsumatori, dikujt kompania e sigurimit ja zbaton dhe dikujt jo, nuk ju lejmë kaq shumë shkallë lirie shoqërive, ose do vendosim standarde ose do e shtyjmë në kohë”, deklaroi deputeti Ilir Beqaj.

Për shkak të qasjeve të ndryshme komisioni vendosi që të mos e votojë nenin që parashikon zbatimin e sistemit bonus malus.

“Propozoj që këtë nen të mos e miratojmë sot, kalojmë në pikat e tjera dhe rikthehemi, për ta parë përsëri”, tha kreu i komisionit Beqaj.

Projektligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” parashikon një sërë risish.

“Risi kryesore është ulja e dëmshpërblimit, ulja e nivelit të shpenzimeve të marrjes së sigurimit. Është parashikuar në draft rritja e kufirit minimal të përgjegjësisë. Afatet e trajtimit dhe pagesës së dëmshpërblimit janë 90 ditë për person dhe 30 ditë për dëme ndaj pronës. Për dëme ndaj pronës deri në 30 mijë lekë nëse bien dakord drejtuesit ata këmbejnë një raport evropian, është një formular që e nënshkruajnë drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar aksidentin që nëse është një vlerë deri në 30 mijë lekë, ja bashkëngjisin kërkesës për dëmshpërblim dhe pagesa merret menjëherë”, u shpreh Violanda Theodhori, Drejtore e Departamentit të Çështjeve Juridike, në AMF.