Shkaktimi i një aksidenti në rrugë me automjet dhe dëmtimi i një pale të tretë, tashmë do ju sjellë më shumë kosto drejtuesve të mjeteve. Shumë shpejt në komisionet parlamentare pritet të nisin diskutimet për ndryshimet në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Draft i cili për herë të parë jep mundësinë e përdorimit të sistemit bonus-malus sa i takon sigurimit të detyrueshëm të mjeteve, ku parashikohet që sigurimi të bëhet edhe në bazë risku.  Konkretisht nëpërmjet këtij projektligji synohet edhe sigurimi i mjeteve për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, që nuk do të jetë i detyrueshëm por që do të jetë në dorën e kompanive që të aplikohet.

Sigurimi ndaj personave që aksidentojmë  konsiston në faktin që kompania e sigurimit detyrohet të paguaj edhe për dëmin e automjetit që është dëmtuar nga klienti i tij. Por çfarë është sistemi 'bonus-malus'?

“Sistemi 'bonus-malus' është sistemi për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të siguruarit”, thuhet në projektligj.

Ky është një propozim i hershëm, dhe në rast se do aplikohet nga shoqëritë e sigurimit drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë dëme mund të paguajnë prim sigurimi më të lartë, ndërsa ata që nuk shkaktojnë dëme prim më të ulët. Sipas relacionit do të ketë prime të ndryshme për risqe të ndryshme

Nëpërmjet këtij sistemi ku primi do të vendoset në bazë risku synohet që të rritet përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve. Ndërsa pala e dëmtuar ka të drejtë të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi përgjegjës i pronarit të mjetit shkaktar për aksidentin.