Në 145 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, thirrje për bashkëpunim mes shqiptarëve dhe me aleatët perëndimorë

10 Qershor 2023, 20:40

Udhëheqës të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë theksuan të shtunën forcimin e pozitës dhe bashkëpunimit të shqiptarëve në rajon dhe thanë se integrimi në familjen euro-atlantike, është një mision për të cilin duhet punuar me përkrahjen e aleatëve perëndimorë. Ata i bënë këto komente gjatë shënimit të 145 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, që llogaritet si një nga ngjarjet kryesore të historisë shqiptare.

Lidhja ishte themeluar më 10 qershor të viti 1878, për t’iu kundërvënë vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Shën Stefanit, si pasojë e të cilit trojet shqiptare i merreshin perandorisë osmane për t’iu dhënë shteteve të Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha sot se e ardhmja e kombit shqiptarë do të jetë gjithnjë më e begat nëse luftohen ndasitë dhe përçarjet mes njëri tjetrit.