Në 29 korrik nisin aplikimet për në universitete, drejtori i RASH, Xhelaj: Maturantët, 6 ditë afat për të zgjedhur degën e preferuar

25 Korrik 2021, 20:39

Nga data 29 korrik nis një tjetër proces për maturantët, ai i aplikimeve për në Universitet. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj tregon se maturantët kanë në dispozicion 6 ditë për të zgjedhur 10 degët e preferuara në portalin u-albania.

“Procesi i aplikimit përmes portalit u-albania do të fillojë më datë 29 korrik dhe përfundon në datën 3 gusht. Është 6 ditë i hapur portali 24 orë që do të thotë maturantët mund të hyjnë në çdo kohë me ID e maturës dhe ID e maturantit mbasi të kenë mbyllur procesin administrativ që është mandat pagesa dhe verifikimi i tyre. Mund të hedhin 10 preferenca ashtu siç ka qenë dhe vitet e kaluara. Aplikimi mbyllet në përfundim fare me kodin e aplikimit që është në mandat pagesë prandaj duhet ta ruajnë atë gjatë gjithë kohës së aplikimit”-tha drejtori i RASH.