Në prag të sezonit, Shëngjini pret pushuesit e parë: Uji është shumë i mirë dhe i përshtatshëm për t’u larë

8 Maj 2021, 19:28 | Përditesimi i fundit: 2021-05-08 19:32:23

Edhe pse sezoni turistik nuk është çelur zyrtarisht pasi nuk janë dhënë lejet për stacionet e plazhit, pushuesit e parë kanë mbërritur në Shëngjin.

Operatorët turistik thonë se prenotimet e deritanishme janë të kënaqshme.

“ Këtë vit pritshmëritë janë më të mira se vitet e tjera. Agjencitë e huaja kanë treguar interes dhe kemi disa grupe të rezervuara. Kjo na bën të ndihemi tejet optimist dhe i gjithë stafi jonë është vaksinuar. Tanimë nuk ekziston frika se mund të infektohemi gjatë pushimeve. Besoj se 80% jemi të sigurt nga pandemia dhe kjo ndikon që edhe klientët të vijnë pa asnjë lloj hezitimi në plazhet tona. Ne e kemi rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimeve tona dhe nga strukturat turistike nuk kemi ndeshur pengesa. Ne jemi të gatshëm t’i presim në çdo lloj kohe”, tha Dritan Kondakçiu,  Operator Turistik në Shëngjin.

Si shenjë që Shëngjini është gati për sezonin e ri turistik është edhe Umum festival, deklaratë që e dha ministri i turizmit Blendi Klosi ditën e sotme. 

"Nuk di kë të falenderoj më përpara. Do të doja të të falenderoja shpirtin e festivalit Unum që po na fut të gjithëve në një aventurë. Të programosh si do të jetë situata e COVID në qershor është pak aventuriere. Duam ta kemi në kontroll pandeminë dhe të kemi mundësinë që Komiteti i Ekspertëve të marri parasysh kërkesën e kahershme të festivalit, që të mbërrijnë në Shëngjin një numër të konsiderueshëm të rinjsh dhe të kemi një festë post-COVID. Kur shikon videon e festivalit para dy vitesh, shikohet se sa jemi stresuar këto dy vite dhe sa larg kemi qenë jetës sociale", tha Klosi. 

Ndërkohë që siguroi se për të mbajtur nën kontroll infeksionet, pjesëmarrësve do tu bëhen teste të shpejta paraprakisht, duke ndjekur kështu shembullin e Barcelonës, Liverpoolit apo Amsterdamit për mbajtjen e koncerteve. 

Prej disa ditësh në Shëngjin po punohet për pastrimin dhe sistemin e brezit të rërës.

Nën kryetari i Bashkisë së Lezhës, Ermal Pacaj thotë se e gjithë vëmendja është përqendruar tek turizmi dhe brenda pak ditësh gjithçka do të jetë gati.

 “ Bashkia e Lezhës duke filluar nga data 1 maj ka filluar intensivisht prekjen e çdo mekanizmi që e bën një turizëm funksional dhe të preferuar. Besoj se brenda javës tjetër do të fillojë shpërndarja e stacioneve të plazhit, të cilat do të funksionojnë ashtu siç kanë funksionuar edhe vitin e kaluar. E gjithë vëmendja e Bashkisë Lezhë është tek sezoni turistik. Mendoj se brenda 3-4 ditëve gjithçka do të jetë më ndryshe dhe më mirë, “ u shpreh për Report TV nënkryetari i bashkisë Lezhë Ermal PACAJ.