Në seancën parlamentare nuk munguan dhe batutat.Ruçi Enver Roshit: Ulu se e ka fjalën Roshi tjetër, Arturi

18 Dhjetor 2019, 22:59

TIRANE- Është shoqëruar me disa batuta dhe ngatërresa fundi i seancës maratonë të mbajtur ditën e sotme në Kuvend, e fundit për këtë sesion parlamentar. Pak para votimit të paketës anti-shpifje dhe buxhetit 2020, kreu i Kuvendit i ka tërhequr vëmendjen ministrave për shkak të mungesës së etikës gjatë fjalës së tij, duke iu referuar pikërisht ministres së Kulturës Elva Margariti, ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi dhe ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

Më pas Ruçi ironizoi edhe kërkesën e deputetes Evis Kushi për të bërë disa ndryshime në amendament.

Ruçi: Cfare keni zonjë. I shkruanit gjërat para se të vinit

Kushi: Kemi nevojë të bëjmë një saktësim, në vend të fjalëve burrë, grua të vendosim bashkëshort, bashkëshorte.

Ruçi: Kush e ka ndryshuar

Kushi: Nuk u specifikua mirë

Ruçi: Ashtu?

Kushi: Nuk është zbardhur mirë

Ruçi: Po kush i zbardh? Ju i zbardhni, ku i firmosni, vetë firmosni, vetë vulosni. I firmosni dhe i vulosni mirë

Një tjetër ngatërresë u shënua në seancë kur Ruç thirri deputetin socialist Artur Roshi për të paraqitur një amendim për paketën anti-shpifje, në momentin kur deputeti i opozitës së re Enver Roshi për shkak të një ngatërrese me mbiemrin zuri foltoren duke paraqitur një amendim për projektligjin e buxhetit 2020.

Ruçi: Deputeti Roshi ka paraqitur një amendim për nenin 1. Urdhëroni zoti Roshi.

Enver Roshi: I nderuar zoti kryetar. Komisioni i Shëndetësisë e ka marrë në shqyrtim.

Ruçi: Uluni se keni ngatërruar ligjin. Ti je te buxheti. Është Roshi tjetër.

Kryeparlamentari pas votimit për krijimin e Ministrisë së Rindërtimit dhe emërimin e Arben Ahmetajt në krye të saj, ngatërroi edhe Arben Ahmetajn me Arben Malajn.

Faleminderit z. Malaj!– tha Ruçi, pas fjalimit të Arben Ahmetajt për dëmet nga tërmeti.

Është Ahmetaj! – e korrigjuan nga salla.

Ka edhe kështu nga lodhja! – ua ktheu kryeparlamentari.