Negociatat me Shqipërinë/ Merkel: Ka ardhur koha për t'i çelur, diskutim me Këshillin e BE-së në mars

17 Janar 2020, 09:08 | Përditesimi i fundit: 2020-01-17 12:18:51

"Është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është koha që të hapen bisedimet e pranimit. Parlamenti ynë ka rënë dakord për këtë" kështu është shprehur kancelarja Gjermane, Angela Merkel gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, duke folur për samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb.

Në fjalën e saj, Merkel velrësoi Shqipërinë duke thënë se është pro hapjes së negociatave ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndahen, pasi sipas saj të dy vendet kanë bërë përparime në detyrat që u janë lënë.

Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat", tha Merkel.

Duke folur për Maqedoninë e Veriut, Merkel është shprehur se ajo i ka plotësuar kushtet që deri më tani pengonte çeljen e negociatave dhe ajo është arritjen e  marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

"Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t'i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t'u bëhen", tha kancelarja gjermane.

Merkel tha se pas mosarritjes së një marrëveshjeje vitin e kaluar, tani do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, qysh në muajin mars.  
Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron, i cili është cilësuar edhe si frenuesi kryesor i zgjerimit të BE-së, ka dhënë sinjale pozitive për sa i përket qëndrimit të tij pas një takimi në Paris me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.

Kroacia dhe më pas Gjermania kanë në dorë kryesinë e radhës së BE-së. Ndërkohë Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Olivér Várhelyi, teksa ditën e djeshme ishte në Shqipëri, u shpreh se do të punohet që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t'i çelen negociatat para samitit të Zagrebit në muajin Maj. Gjithashtu ai u shpreh se gjatë bisedimeve në Francë dhe në Holandë ka patur qëndrime pozitive për sa i përket hapjes së negociatatve.