Kryeministri Edi Rama ashtu sikur paralajmëroi në momentin e marrjes së detyrës, misionin e tij në drejtimin e Presidencës së OSBE-së e nisi nga Ukraina. Në cilësinë e kryetarit të zyrës së OSBE-së, Edi Rama nisi sot vizitën në Kiev, teksa takoi Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, kryeministrin Honcharuk, ministrin e Jashtëm Prystaiko dhe kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Pas takimeve pati edhe një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës.
Bisedimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore. Në Kiev, Rama do të takohet gjithashtu me stafin e SMM, Koordinatorin e Projektit në Ukrainë, dhe Përfaqësuesin e tij Special në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral. Ndërkohë që në datë 21 janar, pra nesër kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Ukrainën lindore për të parë nga afër zonën e prekur nga konflikti.
