Nesër Kolegji Zgjedhor do të vendosë për fatin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Por Partia Demokratike përmes një deklarate nga Sekretari për Cështjet Ligjore Ivi Kaso shprehet se Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të gjykojë nesër dekretin e Presidentit. Ai tha se Edi Rama ka paracaktuar vendimin e Kolegjit.
"Kolegji Zgjedhor nuk merr dot në shqyrtim kushtetutshmërinë apo ligjshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Edi Rama mund të kontrollojë vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, mund t’i shantazhojë gjyqtarët e këtij Kolegji me vetting, por nuk e ndryshon dot realitetin se data 30 Qershor nuk është më datë zgjedhjesh lokale në Shqipëri" tha Kaso.
Nëse Kolegji Zgjedhor do të pranojë ditën e hënë (nesër) kërkesën e Idajet Beqirit për të çregjistruar Partinë e Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i ligjshëm dhe për pasojë nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor.
Nëse Kolegji Zgjedhor lë në fuqi vendimin e KQZ për të mos pranuar kërkesën e Idajet Beqirit, vendimi do të konfirmonte paligjshmërinë e dekretit të Metës, duke i hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të shqyrtojë kërkesën përbëhet nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.