Përmes një video-mesazhi, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi u ka uruar shumë sukses maturantëve, të cilët ditën e nesërme do të zhvillojnë provimin e parë, atë të Gjuhës së Huaj, për Maturën Shtetërore 2021.
Sipas Ministres Kushi, ky është një çast i shumëpritur nga maturantët, një çast që do të kurorëzojë punën dhe përpjekjet e tyre të shumë viteve në shkollë dhe që do t’i bëjë krenarë të gjithë: ata vetë, prindërit e tyre, por edhe mësuesit e drejtuesit e institucioneve arsimore.
Ajo shprehet se e di shumë mirë që të gjithë maturantët kanë punuar shumë për të arritur rezultatet më të mira, ndërsa thekson se “jemi plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur gjatë këtij viti të pazakontë”, duke nënvizuar se këto vështirësi janë reflektuar në procesin e hartimit dhe administrimit të testeve në Maturën Shtetërore.
“Dua t'ju siguroj që në këtë pikë ne jemi dhe do të vijojmë të jemi shumë të kujdesshëm, në mbështetjen tuaj, në mënyrë që secili prej jush të vlerësohet, nga njëra anë duke konsideruar vështirësitë e këtij viti, por nga ana tjetër edhe me meritokraci, duke bërë dallimin e më të mirëve”, -tha Kushi.
Ndër të tjera, ajo shpreh mirënjohjen ndaj tyre për gjithë durimin dhe mirëkuptimin që kanë reflektuar gjatë gjithë këtij viti të pazakontë: “Ju do të mbaheni mend si një maturë, që pavarësisht kushtëzimeve që solli pandemia COVID-19 dhe tërmeti i 26 Nëntorit, u përshtatët në një kohë rekord dhe nuk humbet asnjë sekondë nga procesi i mësimnxënies!”













