Ngërçi tek Hetimi Tatimor dhe shpërthimi i evazionit /Ja pse u shkarkua drejtori i Tatimeve

11 Korrik 2019, 11:12

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u shkarkua drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro. Ai u largua nga detyra, vetëm tre muaj pasi kishte marrë këtë post, duke zëvendësuar Vasilika Vjeron. Të pyetur nga Shqiptarja.com, burime nga ministria e Financave dhe Ekonomisë pranuan se ai ka marrë “notë negative” në performancën e administratës që drejtoi për këto tre muaj, duke qenë se nuk arriti të vendosë në pozita pune drejtoritë rajonale dhe departamentin e rëndësishëm të Hetimit Tatimor. Sidomos ky i fundit rezulton të ketë një ngërç të vërtetë në punën e tij, që e kanë kuptuar edhe bizneset, duke sjellë pakësimin e ndjeshëm në nxjerrjen e kuponave tatimorë, deklarimin e xhiros, etj.

Rrethanat
Ekonomia aktualisht ndodhet në kushtet kur disa nga investimet e mëdha të huaja po ngadalësojnë ritmet e punës, duke qenë se po i afrohen përfundimit të objekteve madhore, siç është rasti i gazsjellësit apo hidrocentraleve mbi Devoll. Fakti që, sikurse referon Instat, rritja ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti shkon në 2.1 për qind, nga 4 për qind që ishte vitin e kaluar, flet qartë për këtë.

Një paralajmërim në këtë drejtim, me këshillën që administrata fiskale duhet të gjejë sa më shpejt rrugë alternative për të rritur të ardhurat nga taksat, kanë bërë vazhdimisht kohët e fundit Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Njëkohësisht, edhe strategjia qeveritare e mbylljes së lojrave të fatit, që ishte një “minierë” e vërtetë të ardhurash, sërish nuk është pasuar me gjetjen e burimeve alternative të prurjeve të taksave nga tregu. Po kështu, një pjesë e të ardhurave nga TVSH në eksport apo renta minerare janë zbehur si pasojë e një uljeje të pandalshme të vlerës së euros ndaj lekut në tregun e këmbimit valutor.